Konflikti për një pronë në Shkodër, që çoi në vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë Astrit Kalaja, është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar gjyqësore që zgjatet prej gati tre dekadash.
Gjithçka nis në vitin 1996, kur Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njeh familjes Shkambi pronësinë mbi një truall prej 4053 m² në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës, hapësirë ku gjatë komunizmit ishte ndërtuar ish-shkolla e Rezervave dhe ku, pas viteve ’90, Bashkia kishte strehuar mbi 30 familje të pastreha.
Në vitin 2002, vendimet gjyqësore fillojnë të përplasen: njëra i njeh familjes Shkambi të drejtën e pronësisë, tjetra i cilëson banorët si “zotërues pa leje dhe me forcë”. Në vitin 2010, Gjykata e Apelit Shkodër urdhëron ekzekutimin e vendimit të 2002-shit, ndërsa në 2012 familja Shkambi blen godinën me kontratë nga Ministria e Financave.
Pas këtij momenti, nis një seri vendimesh të kundërta midis gjykatave dhe Zyrës së Përmbarimit. Në tetor 2022, Përmbarimi vendos lirimin e detyrueshëm të godinës, ndërsa banorët reagojnë duke e quajtur ekzekutimin të paligjshëm. Në nëntor 2022, Gjykata e Shkodrës I jep të drejtë familjes Shkambi, vendim që merr formë të prerë në janar 2023.
Por proceset nuk ndalen. Në korrik 2024, një tjetër vendim i Gjykatës së Shkodrës i jep të drejtë banorëve dhe lë në fuqi pezullimin e ekzekutimit, duke argumentuar se përmbaruesi nuk mund të interpretojë vetë vendimet pa një titull ekzekutiv të qartë.
Kjo përplasje e pafund midis familjes Shkambi, banorëve dhe institucioneve përfundoi tragjikisht më 6 tetor 2025, në sallën e Gjykatës së Apelit të Tiranës, kur nipi i Gjon Shkambit vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, gjatë një seance që kishte në thelb një tjetër episod të kësaj sage pronësore.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...