Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka komentuar moskandidimin e Vjosa Osmanit për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe zhvillimet që çuan në moszgjedhjen e presidentit dhe shpërbërjen e Kuvendit.
Në Tevë1, Sadiku u shpreh se raporti mes kryeministrit Albin Kurti dhe Vjosa Osmanit ka qenë i suksesshëm në fillim, por sipas tij, në fund nuk u respektua marrëveshja politike.
“E shihni edhe vetë se Vjosa Osmani ka pasur një aleancë të bukur dhe të suksesshme me z. Kurti, por në fund, si të themi, z. Kurti nuk e mbajti atë fjalën e vet dhe e tradhtoi Vjosa Osmanin në momentin e fundit. Besoj që tashmë e kanë kuptuar të gjithë, sepse nuk e propozoi për kandidate për presidente”, ka thënë Sadiku.
Ai shtoi se, sipas tij, nëse Osmani do të ishte propozuar, votat për zgjedhjen e saj do të siguroheshin pa vështirësi.
“Po të propozohej Vjosa Osmani, pa marrë parasysh se si do të votonte secili deputet i LDK-së, me gjithë ato vota ajo do të zgjidhej. Unë mendoj që 80 vota do të ishin bërë për Osmanin, po të ishte propozuar. Asnjë nga partitë politike, e aq më pak LDK-ja, nuk do të donte të shkonim në zgjedhje”, ka deklaruar Sadiku.
Sadiku vlerësoi se mospropozimi i Osmanit ka qenë një veprim i qëllimshëm politik, duke shtuar se çështja e mungesës së votave nuk ka qenë arsyeja kryesore për dështimin e zgjedhjes së presidentit.