Sot, në ceremoninë solemne ku u ndanë mirënjohje për veteranët në futboll, basketboll dhe hendboll, u vlerësuan sportistë që me ekipet e tyre kanë qenë kampionë europianë dhe botërorë dhe doli që në mesin e 22 të nderuarve nuk kishte shqiptarë. Megjithatë, kjo nuk është tendencioze. Kështu zëvendësministrja e Ministrisë për Rini dhe Sport, Safije Sadiki Shaini është munduar ta relativizojë skandalin me eventin e sotëm në Qeveri, ku kryeministri Mickoski dhe ministri Borko Ristovski ndanë mirënjohje kombëtare – pensione për 22 sportistë dhe dy klube, që të gjithë maqedonas dhe asnjë shqiptar!
Sadiki-Shaini është sqaruar sot pasdite, pas reagimeve të shumta të opinionit dhe opozitës shqiptare, të cilët e vlerësuan ndarjen monoetnike të mirënjohjeve si skandaloze dhe nënçmuese për sportistët shqiptarë.
Postimi i plotë i zlvendësministres Safije Sadiki Shaini:
Vitet e kaluara, të gjithë sportistët tanë që kanë pasur arritje ndërkombëtare i kanë marrë mirënjohjet dhe pensionet sportive, madje edhe titullin “Sportisti i shekullit” e kemi shqiptar. Kjo është e dokumentuar dhe e padiskutueshme.
Sot, në ceremoninë solemne ku u ndanë mirënjohje për veteranët në futboll, basketboll dhe hendboll, u vlerësuan sportistë që me ekipet e tyre kanë qenë kampionë europianë dhe botërorë dhe doli që në mesin e 22 të nderuarve nuk kishte shqiptarë. Megjithatë, kjo nuk është tendencioze.
Arsyeja është e qartë: në sportet kolektive – futboll, basketboll dhe hendboll – sportistët shqiptarë deri më sot nuk kanë pasur mundësi të marrin tituj si kampion Europe apo bote me ekipet e tyre, prandaj nuk janë përfshirë në një listë që bazohet pikërisht në këto kritere.
Por, kjo nuk do të thotë se kontributi i tyre është më i vogël apo i harruar. Përkundrazi, është një thirrje që në të ardhmen vlerësimi të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektojë angazhimin dhe sakrificën e të gjithë sportistëve.
Sigurisht, sporti është më i fuqishëm kur bashkon dhe më i drejtë kur i vlerëson të gjithë.