Sadije Ramadani kërkon drejtësi për vëllanë dhe 44 shtimjanët e masakruar në Reçak - Gazeta Express
string(82) "sadije-ramadani-kerkon-drejtesi-per-vellane-dhe-44-shtimjanet-e-masakruar-ne-recak"

Sadije Ramadani kërkon drejtësi për vëllanë dhe 44 shtimjanët e masakruar në Reçak

Gazeta Express

15/01/2020 8:14

Po bëhen njëzet e një vjet nga lufta e fundit në Kosovë. Në këtë luftë e humbën jetën mbi 13 mijë persona, pati dëme të mëdha materiale e pati edhe masakra. Njëra prej tyre ishte edhe Masakra e Reçakut. Për ditën e 15 janarit 1999, kur u vranë 45 fshatarë, na rrëfen Sadije Ramadani. Në mesin e të vrarëve ishte edhe i vëllai i saj, Sadik Osmani.

Albina Kastrati *

Lexo Edhe:

Sadije Ramadani ende e kujton fytyrën e vëllait të saj, Sadikut, kur e kishte gjetur të masakruar në Reçak, në dimrin e vitit 1999. Ajo tregon se i ka parë edhe kufomat e tjera të kësaj masakre, e cila kishte bërë jehonë në mediet kryesore të botës.

21 vjet pas kësaj ngjarjeje, Sadija kërkon që të dënohen kryesit e krimeve ndaj 45 shtimjanëve dhe të shkruhen libra për krimet e serbëve në Kosovë.

“Vrasësit të dënohen për krimet e bëra dhe të shkruhet një libër me të gjitha detajet për Masakrën e Reçakut, sepse është ngjarje e përgjakshme, që i preku të gjithë shqiptarët”, thotë Sadija, 68 vjeçare.

Sot shënohet përvjetori i njërës prej shumë masakrave të kryera nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë.

Emri i Reçakut u përmend edhe nga presidenti aktual serb, Aleksander Vuçiç. Në një deklaratë, ai thotë se “Masakra e Reçakut” është vetëm një trillim i William Walker-it.

Për këtë, e mbijetuara e masakrës, Sadija, thotë se ish-shefi i OSBE-së i tregoi botës për krimet e kryera të Serbisë dhe nuk ka asgjë për t’u mohuar, sepse ka fakte, jo vetëm për këtë masakër, por edhe për çdo shpirt të pafajshëm të marrë nga ushtarët serbë.

Megjithatë, Sadije Ramadani nuk është thirrur asnjëherë si dëshmitare në Gjyqin e Hagës. Ajo pohon se është gjithmonë e gatshme të dëshmojë për krimet e kryera nga fqinji i Kosovës dhe të kërkojë drejtësi për 45 fshatarët e pafajshëm të Reçakut.

Lufta e fundit në Kosovë preku edhe më larg se Reçaku. Sipas të dhënave të Fondit Për Të Drejtat Humanitare, numri i të vdekurve është 13 mijë e 518 persona, rreth 5000 civilë janë zhdukur dhe 20 mijë gra janë dhunuar.

Ramadani e përshkruan 15 janarin e atij viti, që e ndryshoi përgjithmonë jetën e saj.

Asokohe ishte muaji i Ramazanit dhe të afërmit ishin mbledhur për të ngrënë darkë së bashku. Për disa prej tyre, ajo kishte për të qenë darka e fundit.

Të nesërmen, në orën shtatë të mëngjesit, kishin filluar gjuajtjet me armë nga policët serbë dhe në orën dhjetë e kishin rrethuar shtëpinë e Sadik Osmanit, në të cilën ishin fshehur 40 fshatarë, disa në bodrum e disa në ahur.

Sadija rrëfen se si një polic serb, i veshur me rroba të zeza e me maskë, e kishte hapur derën, pastaj pas disa minutave kishin ardhur me vrull tre policë, duke i marrë burrat e duke i sharë në gjuhën serbe.

Aty e morën vëllanë e Sadijes, Sadikun, bashkë me të birin e tij, Burim Osmanin, të cilin e kthyen, sepse u ishte dukur si i mitur. E morën edhe të mbijetuarin e masakrës, Ramë Shabanin, dhe të gjithë burrat e tjerë.

Me emocione, Ramadani tregon se si këta fshatarë të paarmatosur kishin bërtitur nga dhimbjet e mëdha e nga torturat e policëve serbë. Pastaj, pas dy orëve, gjithçka kishte rënë në qetësi. Sadija, bashkë me të bijën, Habiben, dhe gratë e tjera kishin ndenjur të mbyllura në bodrum deri në orën katër të pasdites, duke mos ditur se cili do të jetë fati i tyre apo i burrave që ua kishin marrë.

“Doja të dija se çfarë i ka ndodhur vëllait tim e burrave të tjerë. Dera ishte e mbyllur, por me një thikë e hapa dritaren e dola jashtë, e hapa derën dhe vendosëm të largohemi nga ajo shtëpi”, thotë Sadije Ramadani.

Rrugës kishin hasur në trupin e vdekur të Sahide Metushit, tashmë e shpallur si e zhdukur. Ato kthehen në shtëpinë e Ramë Shabanit dhe pas disa çasteve i dëgjojnë forcat serbe duke i kënduar këngët e tyre.

Më vonë ishin dëgjuar disa vetura të OSBE-së dhe gratë kishin rrëfyer se çfarë kishte ndodhur. Ata i kishin këshilluar të kthehen ne shtëpitë e tyre.

Asokohe, William Walker-i kishte deklaruar se kjo masakër ishte krim kundër njerëzimit dhe se bota duhet të vihet në dijeni për këtë ngjarje.

Të nesërmen, djali i vëllait, Burim Osmani, i kishte treguar hallës së tij se të gjithë burrat janë vrarë te vendi i quajtur “Kodra e Bebushit”.

“Ende i kam të freskëta kujtimet kur kaloja pranë të afërmve të mi, ku të gjithë ishin të gjymtuar e torturuar, sidomos kur arrita te kufoma e vëllait tim, u bëra si e dehur. Të gjithë qanim. Ishte shumë vështirë për t’u përmbajtur”, shton Ramadani.

Të mbijetuarit e fshatit dhe banorë të fshatrave të tjera, që kishin ardhur në ndihmë, i kishin dërguar kufomat në xhaminë e fshatit dhe pastaj në spital në Prishtinë, ku kishin qëndruar pesë javë.

Jeta pas asaj jave, gjatë gjithë kohës së luftës, ishte me plot rreziqe e vështirësi, duke qëndruar në tenda e shtëpi të ndryshme, duke e pasur vështirë t’i sigurojnë ushqimin e një vend për të fjetur. Madje, e lodhur, Sadija, bashkë me disa familjarë, kishin tentuar të largohen nga Kosova, por që nuk kishin mundur.

Sadija tregon se vëllai i saj kishte qenë për 24 vjet mësues në shkollën fillore të Reçakut. Tashmë në atë vend janë vendosur varrezat e të vrarëve të këtij fshati.

Ndërsa i biri i Sadikut, Bekim Osmani, mban familjen e tij me të ardhura nga një dyqan i vogël afër shkollës së fshatit.

Ajo thekson se jeta e saj para kësaj ngjarjeje ishte e hareshme dhe nuk kishte menduar se do t’i ndodhte diçka e tillë ndonjëherë.

“Para luftës kisha familje, kisha vëlla, kisha shtëpi. E më pas, për pak ditë, humba gjithçka; i humba vëllanë, shtëpinë, familjarët. Shumë shtëpi janë shuar përgjithmonë ”, thotë me emocione e mbijetuara.

21 vjet pas luftës, ajo qëndron ende e fortë për nipat e mbesat e saj dhe për vëllanë Sadikun, duke e mbajtur gjallë historinë .

Ndryshe, edhe për 15 janar të këtij viti janë paralajmëruar aktivitete për ta shënuar njërën prej masakrave më të rënda që u kryen nga shteti serb. 

*Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP.