Sachsenring përfshihet në kalendarin e Moto GP-së për 5 sezonet e ardhshme - Gazeta Express
string(74) "sachsenring-perfshihet-ne-kalendarin-e-moto-gp-se-per-5-sezonet-e-ardhshme"

Sport

Gazeta Express

14/05/2021 14:45

Sachsenring përfshihet në kalendarin e Moto GP-së për 5 sezonet e ardhshme

Sport

Gazeta Express

14/05/2021 14:45

Sachsenring do të presë garat e Moto GP edhe për pesë sezonet e ardhshme. Pista e famshme gjermane siguroi në këtë mënyrë të drejtën për të pritur garat e kampionatit botëror të motoçiklizmit deri në fundin e vitit 2026.

Sachsenring është një ndër pistat më të vjetra në vendin teuton dhe cirkuiti pranë Chemnitz-it ka pritur gara gjithashtu edhe para Luftës së Dytë Botërore, nga 1934 deri në vitin 1939, ku u garoi në kategoritë 250, 350 dhe 500 cc.

Lexo Edhe:

Kampionati botëror i motoçiklizmit në të vërtetë startoi kohë më pas, më saktë në vitin 1949, megjithatë Gjermania u përfshi në kalendarin zyrtar të garave të këtij aktiviteti dy vjet më vonë.

Privilegjin për të pritur garat e këtij kompeticioni e kanë patur pistat në Stuttgart, Nurburgring apo Hockenheim, të cilat janë alternuar ndërmjet tyre deri në fundin e vitit 1997. Nga viti 1998 e këtej cirkuiti i famshëm që ndodhet në Saxony ka qenë gjithmonë pjesë e kampionatit botëror të motoçiklizmit, madje pista e pozicionuar në Hohenstein – Ernstthal, qytet pranë distriktit rural të Zwickau-t konsiderohet si një ndër pistat më të veçanta për nga karakteristikat. Një pistë e ngushtë dhe tepër teknike, krahasuar me pistat e tjera, ku nuk është e thjeshtë për të parakaluar dhe si periudhë kohe garat e Çmimit të Madh të Sachsenring-ut janë zhvilluar përgjithësisht gjatë muajit korrik. Palët gjetën gjuhën e përbashkët dhe siguruan më në fund marrëveshjen që e lidh pistën klasike të kampionatit botëror të motoçiklizmit deri në fundin e vitit 2026.

Dorna Sports dhe ADAC firmosën më në fund kontratën e shumëpritur që mundëson zhvillimin e garave të këtij kampionati edhe për pesë vitet e ardhshme. Në vendin teuton zhvillimi i Çmimit të Madh të Sachsenring-ut konsiderohet edhe si një ndër ngjarjet sportive më të ndjekura, e çdo vit në cirkuitin e mirënjohur gjerman grumbullohen rreth 200.000 spektatorë, për të ndjekur pilotët më të mirë në rruzull. Presidenti i Kompanisë ADAC Sport Hermann Tomczyk deklaroi se ndihet shumë i lumtur që bashkë me krerët e Grupit Dorna Sports dhe mbështetjen e drejtuesve lokalë të Saksonisë arritën marrëveshjen për të mundësuar zhvillimin e garave në Sachsenring edhe për pesë vitet e ardhshme. 70-vjeçari shtoi se një marrëveshje si kjo në një periudhë të tillë tepër të vështirë hedh themelet për një bashkëpunim të frytshëm dhe krijon mundësinë për ta shndërruar cirkuitin në Sachsenring në Mekën e Motoçiklizmit, për një kohë shumë të gjatë.

I pranishëm natyrisht ishte edhe vetë drejtuesi më i lartë i Dorna Sports Carmelo Ezpeleta, që tha se ndihet krenar për të shpallur arritjen e një kontrate të tillë me Kompaninë ADAC Sport dhe konfirmon pjesëmarrjen e Çmimit të Madh të Sachsenring-ut deri në vitin 2026. 75-vjeçari nga Barcelona shtoi se Çmimi i Madh i Gjermanisë përfaqëson një ndër ngjarjet më të shënuara jo vetëm për këtë zonë të veçantë, por gjithashtu edhe për rajonin, si dhe një vend si Gjermania, që ka një histori të pasur që e lidh ngushtë vendin teuton me garat e motoçiklizmit.

Çmimi i Madh i vitit 2021 do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pra pa praninë e spektatorëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit, me shpresën se gjërat do të përmirësohen shpejt në këtë aspekt dhe gjithçka do të rikthehet në normalitet. Çmimi i Madh i Gjermanisë mungoi vitin e kaluar, sepse siç dihet edicioni i 72 i kampionatit botëror të motoçiklizmit u përqendrua në vetëm 14 gara gjithsej në Kontinentin e Vjetër, prej virusit Covid – 19, ku gjysma e këtyre garave madje u zhvillua vetëm në Spanjë. Viti i fundit kur u garua në Sachsenring ishte viti 2019, kur në pistën e famshme gjermane ia dolën mbanë për të fituar pikërisht dy vëllezërit Alex dhe Marc Marquez, që triumfuan respektivisht në Moto 2 dhe Moto GP. /SS/