Milani ka kthyer zyrtarisht Kyle Walker te Manchester City pas përfundimit të huazimit gjashtëmujor, duke mos e aktivizuar opsionin për ta blerë për 5 milionë euro. Por sa e kushtoi realisht kjo eksperiencë?
Rossonerët kanë konfirmuar sot përfundimin e huazimeve edhe për disa lojtarë të tjerë, përfshirë Joao Felix (që kthehet te Chelsea), Riccardo Sottil (te Fiorentina) dhe Tammy Abraham (te Roma). Ashtu si në rastin e tyre, kishte kohë që dihej se Milani nuk kishte ndërmend ta mbante Walker përtej datës 30 qershor.
Mbrojtësi i djathtë u transferua nga Manchester City në janar, për një huazim 6-mujor me kosto 1 milion euro dhe me opsion blerjeje për 5 milionë euro shtesë.
Sipas llogaritjeve të Calcio e Finanza, paga neto e Walker gjatë qëndrimit të tij te Milani ishte 2.5 milionë euro, që përkthehet në rreth 4.6 milionë euro bruto. Kjo do të thotë se në total, Milani ka shpenzuar rreth 5.7 milionë euro për ta pasur ndër radhët e veta mbrojtësin anglez për vetëm gjashtë muaj.
35-vjeçari regjistroi 16 paraqitje zyrtare, duke luajtur gjithsej 1,046 minuta, por pa kontribuar me asnjë gol apo asist./GazetaExpress/