Sa na dhemb kur refuzohemi - Gazeta Express
string(26) "sa-na-dhemb-kur-refuzohemi"

Sa na dhemb kur refuzohemi

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

18/11/2022 13:20

Pavarësisht nëse e merrni apo jo atë që dëshironi, do të ketë gjëra të tjera që do të merrni duke u përpjekur. Dije se çdo frikë, sa herë që përballesh me të, aq më lehtë do të jetë ta kalosh herën tjetër. Do të jeni më të guximshëm, më elastikë, më të zgjuar dhe më të gatshëm për herën tjetër – dhe do të ketë gjithmonë një herë tjetër. Dhe do të ketë gjithmonë humbje dhe fitore njëkohësisht

Brikena Krasniqi Hoti

Frika nga refuzimi është një nga frikat tona më të thella njerëzore. Ne jemi biologjikisht të prirë për t’u lidhur dhe afruar më dikë, me dëshirën për t’i takuar dikujt apo diçkaje. Ne dëshirojmë të jemi të pranuar dhe të dëshiruar. Të dhemb të refuzohesh  dhe të përjetosh largimin e njerëzve nga ti, ose mohimin e vëmendjes kujdesit apo dashurisë së tyre.  Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e humbjes, poshtërimit, izolimit apo braktisjes që mund të sjellë refuzimi . Kemi frikë të jemi vetëm.

Refuzimi dhemb. Ndonjëherë është edhe torturuese. Nuk ka rrugëdalje. Ndonjëherë në jetë, ne marrim rreziqe që nuk shpërblehen. Ne i  vendosëm synimet tona , përpiqemi fortë, investojmë shumë në një lidhje, por dështojmë. Ne shkojmë pas një pune dhe na refuzojnë.

Ne mund të kemi frikë se mos refuzimi konfirmon frikën tonë më të keqe – ndoshta se nuk jemi të dashur, ose se jemi të destinuar të jemi vetëm, ose se kemi pak vlerë ose aspak. Kur këto mendime të bazuara në frikë vazhdojnë të rrotullohen në mendjen tonë, ne mund të shqetësohemi, të përjetojmë frikë, pasiguri, ankth apo edhe depresion.

Një pjesë e madhe e frikës sonë nga refuzimi mund të jetë frika jonë për të përjetuar lëndim dhe dhimbje. Ne largohemi nga njerëzit në vend që të rrezikojmë të afrohemi. Ne përmbahemi nga shprehja e ndjenjave tona autentike. Ne i braktisim të tjerët përpara se ata të kenë mundësinë të na refuzojnë.

Por meqë kjo është e pashmangshme, ne duhet t’i lejojmë vetes të ndiejmë pikëllim, humbje, frikë, vetmi, zemërim ose çfarëdo ndjesie që lind kur në një mënyrë ose tjetër refuzohemi.

 Ashtu siç pikëllohemi, mërzitemi dhe shërohemi gradualisht kur dikush afër nesh vdes (shpesh me mbështetjen e miqve), ne mund të shërohemi kur përballemi me refuzimin. Ne gjithashtu mund të mësojmë nga përvoja jonë, e cila na lejon të ecim përpara në një mënyrë më të fuqizuar.

Sado fort të përplasemi  në tokë, ne gjithmonë arrijmë të ngrihemi, të heqim pluhurin dhe të vazhdojmë të ecim përpara.

Pavarësisht nëse e merrni apo jo atë që dëshironi, do të ketë gjëra të tjera që do të merrni duke u përpjekur. Dije se çdo frikë, sa herë që përballesh me të, aq më lehtë do të jetë ta kalosh herën tjetër. Do të jeni më të guximshëm, më elastikë, më të zgjuar dhe më të gatshëm për herën tjetër – dhe do të ketë gjithmonë një herë tjetër. Dhe do të ketë gjithmonë humbje dhe fitore njëkohësisht.

/Gazeta Express