Me dëshirën e madhe të Milanit dhe Comos për të fluturuar drejt Australisë për ndeshjen e tyre të Serie A në shkurt 2026, sa do të përfitojnë realisht klubet dhe liga nga ky event?
Ndeshja duhej të zhvendosej, pasi San Siro do të përdoret për ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina në muajin shkurt.
Në vend që të gjendej një stadium tjetër në territorin italian, u vendos që ndeshja të zhvillohet në Perth të Australisë, duke bërë histori si ndeshja e parë e Serie A që luhet jashtë Italisë.
Kjo ngjarje po prezantohet si një mundësi e madhe për të gjeneruar të ardhura për klubet dhe Lega Serie A, si dhe për të rritur interesin ndërkombëtar për kampionatin italian në tërësi.
Sipas analizës së Calcio e Finanza, autoritetet australiane janë gati të investojnë rreth 12 milionë euro për të pritur këtë ndeshje, por një pjesë e kësaj shume do të shkojë për mbulimin e kostove organizative dhe logjistike.
Pas zbritjes së shpenzimeve, pritet të mbeten 8–9 milionë euro për t’u ndarë midis Milanit, Comos dhe klubeve të tjera të Serie A që votuan pro këtij propozimi.
Duke qenë se Milan është zyrtarisht “skuadra pritëse” në këtë përballje, ai do të marrë pjesën më të madhe të të ardhurave.
Megjithatë, përfitimi më i madh mund të ndjehet më vonë, pasi Lega Serie A shpreson që ky event të rrisë dukshmërinë e ligës në tregun australian dhe, si pasojë, të shtojë të ardhurat nga të drejtat televizive dhe shitjet e fanellave në të ardhmen.
Jo të gjithë janë dakord me këtë ide — Adrien Rabiot e quajti ndeshjen në Australi “plotësisht të çmendur”./GazetaExpress/