Rusia ka vazhduar me narrativat e saj duke e paraqitur Kosovën si një vend të pasigurt dhe për të ndikuar në perceptimin e opinionit publik rus ndaj zhvillimeve në rajon.
Në vazhdën e deklaratave propaganduese ndaj Kosovës, Ministria e Jashtme e Rusisë u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që të shmangin udhëtimet drejt Kosovës, duke e përshkruar vendin si destinacion me rrezik të lartë sigurie.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova, ka deklaruar se qytetarët rusë duhet të evitojnë vizitat në Kosovë dhe të zgjedhin rrugë alternative kur planifikojnë udhëtime në rajonin e Ballkanit.
“Për shkak të rreziqeve të larta, sërish rekomandojmë fuqishëm që qytetarët rusë të shmangin vizitat në Kosovë dhe të zgjedhin rrugë alternative kur planifikojnë udhëtime brenda rajonit të Ballkanit”, ka thënë Zakharova.
Si arsye për këtë paralajmërim, ajo ka përmendur arrestimin e një shtetasi rus dhe dy bjellorusëve më 10 shkurt, të cilët dyshohet se kishin kaluar kufirin në mënyrë të paautorizuar.
Sipas saj, Zyra Ndërlidhëse e Rusisë në Kosovë ka kërkuar qasje tek të arrestuarit për t’u ofruar asistencë konsullore. /Koha