Ukraina tha se Rusia e ka sulmuar me qindra dronë dhe raketa gjatë natës, duke vrarë të paktën katër persona në Kiev.
Në mesin e të vrarëve ishte edhe një vajzë 12-vjeçare, ndërkaq më shumë se 40 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve në rajonet e Zaporizhjës, Odesës, Sumit, Mikolajivit dhe Çerkasit, thanë autoritetet ukrainase.
Përpjekjet diplomatike për ndaljen e luftës, që Rusia nisi kundër Ukrainës më 2022, kanë dështuar, me Moskën që është zotuar se do të vazhdojë ofensivën e saj.
“Moska dëshiron të vazhdojë luftimet dhe vrasjet dhe meriton që bota t’i bëjë presionin më të ashpër”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas sulmeve që zgjatën për 12 orë.
“Kremlini përfiton nga vazhdimi i kësaj lufte dhe terrori për aq kohë sa përfiton nga shitjet e energjisë”, shtoi ai, duke bërë thirrje për masa më të ashpra ndaj Moskës nga aleatët e Kievit.
Përveç ndërtesave të banimit, edhe një qendër kardilogjike dhe një çerdhe ishin cak i sulmeve, tha Ministria e Jashtme ukrainase.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, Rusia lëshoi 643 dronë dhe raketa, në pjesën lindore, qendrore dhe jugore të Ukrainës.
Ndërkaq, Rusia pretendoi se ka goditur caqe ushtarake gjatë sulmeve masive në Ukrainë.
“Forcat e Armatosura të Federatës Ruse kanë kryer sulme masive kundër kompleksit të industrisë ushtarake ukrainase”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Polonia, që gjendet në kufi me Ukrainën, ngriti avionë në ajër për të siguruar hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve, pasi NATO-ja e ka akuzuar Moskën se qëndron prapa një sërë shkeljes të hapësirës ajrore të aleancës. /REL