Sipas shërbimeve sekrete gjermane dhe holandeze Rusia e ka shtuar përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Kjo tregon se lufta po zhvillohet me një brutalitet dhe intensitet gjithnjë e më të madh.
Sipas Shërbimit Sekret Gjerman BND dhe dy agjencive holandeze të shërbimit sekret MIVD dhe AIVD, Rusia po rrit përdorimin e armëve kimike në Ukrainë. Qeveria gjermane i konfirmoi njoftimet për përdorimin e kloropikrinës, një lëndë kimike luftarake që dëmton mushkëritë. Në përqendrime të larta në hapësira të mbyllura kloropikrina, e cila është përdorur edhe gjatë Luftës I Botërore, mund të ketë pasoja vdekjeprurëse.
Përdorimi i gazit lotsjellës dhe i armëve të tjera kimike nga Rusia në luftën në Ukrainë, përbën shkelje të rëndë marrëveshjes për ndalimin e përdorimit të lëndëve kimike, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane Stefan Kornelius.
Rrezik edhe për pjesën tjetër të Evropës dhe botën
Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, informoi Parlamentin në Hagë rreth informacioneve të shërbimeve sekrete, se Rusia përdor armë kimike në mënyrë sistematike dhe në shkallë të gjerë.
“Ky është një zhvillim i rrezikshëm, krejtësisht i papranueshëm dhe tregon edhe një herë brutalitetin e agresorit me të cilin po përballet Ukraina” – tha ai. Përdorimi i armëve kimike në konflikte nga Rusia është gjithashtu rrezik për “pjesën tjetër të Evropës dhe për botën”, tha Brekelmans.
Edhe Britania e Madhe dhe SHBA e akuzuan vitin e kaluar Rusinë për përdorimin e armës kimike kloropikrinë kundër ushtarëve ukrainas.
Sipas vëzhgimeve të BND, MIVD dhe AIVD, udhëheqja ruse dhe forcat e saj të mbrojtjes radiologjike, kimike dhe biologjike e mbështesin dhe e nxisin në mënyrë aktive përdorimin e armëve kimike të ndaluara. Ka shumë të ngjarë që kjo të vazhdojë të përbëjë një kërcënim.
Përveç kësaj Rusia po investon shumë në programin e saj të armëve kimike. Hulumtimet në këtë fushë po zgjerohen dhe po rekrutohen shkencëtarë të rinj.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes deklaroi se Rusia ka përdorur deri tani mbi 9,000 herë armë kimike kundër trupave ukrainase. Sipas Ukrainës të paktën tri vdekje mund t’u atribuohen drejtpërdrejt efekteve të armëve kimike.
Kreditimi Rural i Kosovës (KRK), është një institucion mikrofinanciar në Kosovë, që do të përfitojë një kredi prej 10...