Rusia po e humbet jo vetëm luftën, por edhe shekullin XXI - Gazeta Express
string(56) "rusia-po-e-humbet-jo-vetem-luften-por-edhe-shekullin-xxi"

Rusia po e humbet jo vetëm luftën, por edhe shekullin XXI

OP/ED

Gazeta Express

05/07/2023 10:03

Nga Fareed Zakaria “CNN

Në librin e tij të rëndësishëm “Vala e tretë”, Samuel Huntington vuri në dukje se ndarja brenda elitës në pushtet është një shenjë kyçe e dobësisë tek regjimet autoritare. Kur anëtarë të rëndësishëm të establishmentit shkëputen prej tij, kjo gjë shkakton shpesh një gamë më të gjerë ndryshimesh.

Lexo Edhe:

Përkundrazi, kur nuk ndodhi ndryshime të tilla, kjo do të thotë se autokrati ka të ngjarë të mbijetojë në krye të vendit. Një shembull i këtij parimi është diktatori sirian Bashar al-Assad. Po si mund ta përdorim atë në Rusinë e sotme?

Përpjekja e dështuar për një grusht shteti e Yevgeny Prigozhin, zbuloi njëfarë mospajtimi brenda elitës ruse në pushtet. Por me sa duket Vladimir Putin ishte në gjendje ta shtypte atë brenda një ose dy ditësh. Duket se Prigozhin nuk mori mbështetjen publike të asnjërës nga figurat kryesore të Kremlinit.

Dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore të ndërprerjes së marshimit të tij donkishotesk drejt Moskës. Putini e ka kaluar pjesën më të madhe të mandatit të tij duke shtypur disidencën nga liberalët në Rusi. Tani ai po shtyp edhe sfiduesit e tij në kampin e nacionalisteve.

Siç është shprehur dikur Winston Churchill në Rusi luftërat për pushtet “zhvillohen brenda  një kutie të zezë”. Intriga politike është e krahasueshme me një luftë mes “2 qenve bulldog poshtë një qilimi”.

Një i jashtëm dëgjon vetëm ulërimat, dhe vetëm kur sheh kockat të fluturojnë nga poshtë, është e qartë se kush e fitoi betejën. Tani për tani, janë vetëm kockat e Bogosianit ato që ne i shohim në mënyrë figurative. Ndoshta shumë shpejt do t’i shohim edhe realisht.

Por ajo që nuk është objekt spekulimi, është gjendja e shoqërisë ruse. Që kur e lexova, unë kam mbetur i habitur nga një statistikë: sot një mashkull 15-vjeçar nga Rusia ka të njëjtën jetëgjatësi si një mashkull 15-vjeçar nga Haiti.

Kjo analizë vjen nga një studim i gushtit 2022 nga studiuesi Nicholas Eberstadt, i cili ka punuar gjerësisht mbi demografinë. Ai thekson se Rusia po shpopullohet prej 3 dekadash, me një pauzë të shkurtër në vitet 2013-2015. Vdekjet i tejkalojnë lindjet, por ai vëren se kjo tendencë është e pranishme në shumë vende të industrializuara.

Kujtojmë se Rusia është një nga vendet më të pasura në botë për sa i përket burimeve natyrore, dhe është një shoqëri e urbanizuar dhe e industrializuar me nivele arsimimi dhe shkrim-leximi të krahasueshme dhe ndoshta superiore me vendet evropiane.

Por ajo që bie më shumë në sy në Rusi është shkalla e vdekjeve. Duke përdorur të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë të vitit 2019, përpara efekteve të Covid-19 apo luftës, OBSH vlerësoi se një djalë 15-vjeçar në Rusi mund të priste të jetonte edhe 53.7 vjet të tjera, që është pothuajse e njëjtë me një haitian dhe nën jetëgjatësinë e meshkujve në Jemen, Mali, Sudanin e Jugut.

Meshkujt evropianë, afërsisht në të njëjtën moshë, mund të presin të jetojnë rreth 7 vjet më shumë se rusët. Arsimi lidhet zakonisht me shëndetin e mirë, por jo në Rusi. Eberstadt thekson se për habi ndonëse Rusia është një vend me nivele arsimore të botës së parë, ka norma vdekshmërie të botës së katërt tek popullata e saj në moshë pune.

Pastaj ai gërmon më thellë në studimet akademike, dhe zbulon se Rusia ka një ecuri shumë të dobët në sektorin kulturor, shumë më keq se sa Bashkimi Sovjetik. Në vitin 2019, Rusia ishte prapa Austrisë në aplikimet për patenta ndërkombëtare, pavarësisht se popullsia e saj ishte 16 herë më e madhe.

Sot ajo renditet së bashku me Alabamën në patentat amerikane, pikë referimi për kompanitë në mbarë botën, pavarësisht se ka një popullsi gati 30 herë më të madhe se ajo e Alabamës. Që  të gjitha këto shifra pritet që të përkeqësohen, duke pasur parasysh qindra mijëra rusë, ndoshta të mirë-arsimuar dhe të rritur në qytete, të cilët janë larguar nga vendi që pas sulmit ndaj Ukrainës.

Por çfarë e shpjegon këtë çekuilibër të pabesueshëm në Rusi? Një libër i ri nga studiuesi Alexander Etkind “Rusia kundër modernitetit”, argumenton se Putin ka krijuar një shtet parazitar që fiton të ardhura nga nxjerrja e burimeve natyrore dhe jo nga prodhimi krijues.

Po ashtu ajo nuk përmbush asnjë nga funksionet e një shteti modern në kushtet e ndihmës për qytetarët e saj. Korrupsioni është i natyrshëm në këtë regjim kleptokratik, thotë Etkind, duke vënë në dukje se Rusia post-sovjetike ka përjetuar rritjen më të shpejtë të pabarazisë në botë.

Pas protestave kundër tij gjatë viteve 2011-2012, për të cilat një Putin i tërbuar fajësoi Sekretaren e atëhershme të e Shtetit Hillary Clinton, shteti rus është bërë akoma më shumë anti-modern. Për regjimin e Putinit, Perëndimi përfaqëson tani forcat e modernizimit social, ekonomik dhe politik që mund ta “infektojnë” Rusinë.

Në fjalimin e tij në fillim të luftës në Ukrainë, Putin i akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan të shkatërrojnë vlerat tradicionale të Rusisë dhe të imponojnë vlera të reja, të cilat sipas tij “çojnë drejtpërdrejt në degradim dhe degjenerim, pasi janë në kundërshtim me natyrën njerëzore”.

Për Putinin, modernizimi i Rusisë do të krijonte një shoqëri civile më aktive me kërkesa më të mëdha për një kujdes më të mirë shëndetësor, më shumë mundësi për qytetarët dhe një shtet më pak kleptokratik.

Prandaj ai bën thirrje për një Rusi tradicionale që mbron fenë, moralin tradicional, ksenofobinë dhe konformitetin e rreptë gjinor natyrisht. Ku na çon e gjitha kjo? Unë nuk jam i sigurt, por është e drejtë të thuhet se problemi më i madh i Rusisë nuk është se po humbet luftën në Ukrainë, por se po humbet shekullin XXI-të.