Pas një tentimi të Estonisë për të sekuestruar një cisternë nafte në Detin Baltik, Rusia ka akuzuar NATO-n për veprime, që i ka cilësuar si “agresive”.
Të enjten e kaluar Estonia deklaroi se Moska kishte dërguar për pak kohë një avion luftarak në hapësirën ajrore të NATO-s mbi Detin Baltik gjatë një përpjekjeje të vendit për të ndaluar një cisternë me destinacion Rusinë, e cila dyshohet se ishte pjesë e një “flote në hije” që shmang sanksionet perëndimore ndaj Moskës.
Sipas raportimeve të Reuters, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, është pyetur për këtë çështje në konferencën e saj javore për shtyp, dhe ka deklaruar se Moska po i ndjek nga afër zhvillimet në Baltik dhe do të reagojë ndaj veprimeve që i konsideron të paligjshme nga anijet e NATO-s, nëse ato paraqesin rrezik.