string(116) "rusia-krijon-nje-serial-te-animuar-per-femije-ekspertet-e-konsiderojne-mjet-propagande-ne-sherbim-te-narratives-ruse"

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 12:57

Rusia krijon një serial të animuar për fëmijë, ekspertët e konsiderojnë mjet propagande në shërbim të narrativës ruse

Lajme

Gazeta Express

29/05/2025 12:57

Në Rusi ka nisur transmetimi i një seriali të animuar për fëmijë, i cili ngjall debat për përmbajtjen e tij propagandistike.

“Sandpit” është titulli i serialit të ri, ideuar nga Vladimir Solovyov, një prej zërave më të zëshëm pro-Kremlinit dhe i sanksionuar nga Bashkimi Evropian dhe Britania për përhapje të dezinformatave në lidhje me Ukrainën.  

Seriali synon t’u mësojë të vegjëlve konceptet e politikës ndërkombëtare përmes personazheve të animuar që përfaqësojnë liderë globalë si fëmijë.

Në episodin promovues prej 30 sekondash të publikuar në Telegram, shfaqen Vladimir Putin, Donald Trump, Emmanuel Macron, Kim Jong-un, Elon Musk dhe Recep Tayyip Erdoğan – të gjithë në versionin e tyre “fëmijëror”, duke komunikuar në një video-thirrje.

Putin shfaqet me uniformën e bardhë të xhudos dhe një anije lodër të zezë, që simbolizon flotën ruse në Detin e Zi. Elon Musk luan me një Cybertruck, ndërsa Kim Jong-un mban një raketë lodër, një nënkuptim i qartë për arsenalin e tij bërthamor. Macron, i ironizuar për diferencën në moshë me bashkëshorten, përmendet nga Kim me fjalët: “Je gjithmonë me gjyshen tënde”, ndërsa Putin tallet me përdorimin e teknologjisë perëndimore, duke thënë se “Skype juaj vdiq”.

Producentët e quajnë projektin “SolovyovKids”, “me qëllim edukimin e brezave të rinj përmes një narrative që pasqyron botëkuptimin e Kremlinit mbi rendin botëror dhe rolin e Rusisë në të. Sipas përkrahësve të serialit, synimi është të nxisë ndjenjën e patriotizmit dhe të ndërtojë vetëdije politike te fëmijët rusë”.

Megjithatë, projekti është pritur me shqetësim nga analistët perëndimorë, të cilët e shohin si një tjetër mjet propagande në shërbim të narrativës shtetërore ruse.