“Rusia ka parë kopjen më të fundit të një drafti të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe i sheh disa prej tyre pozitivisht, por dëshiron një diskutim për pjesët e tjera”, tha Kremlini të mërkurën, raporton Agence France-Presse (AFP).
Në komentet për një gazetar të televizionit shtetëror rus, ndihmësi i Kremlinit Yuri Ushakov tha se drafti i ri kërkonte “analizë vërtet serioze” dhe se Rusia ende nuk e kishte diskutuar atë me askënd.
Plani nuk është publikuar ende.
Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se ishte një version “i përmirësuar” i një plani të mëparshëm prej 28 pikash që Kievi dhe Europa e kishin refuzuar dhe se ai po dërgonte zyrtarë për t’u takuar me të dyja palët me shpresën e finalizimit të tij, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Të mërkurën, Ushakov tha për planin se “disa aspekte mund të shihen pozitivisht, por shumë kërkojnë diskutime të veçanta midis ekspertëve”.
Plani fillestar, i kritikuar gjerësisht në Europë si përmbushës i kërkesave të Moskës, parashikonte tërheqjen e Ukrainës nga rajoni i saj lindor i Donetskut dhe njohjen de facto të rajoneve të Donetskut, Krimesë dhe Luhanskut si ruse nga SHBA-të.
Ukraina tha më vonë se kishte arritur një “mirëkuptim” me SHBA-në dhe se të dyja palët kishin hequr dorë nga disa nga pikat me të cilat Kievi nuk ishte dakord pas bisedimeve në Gjenevë.
Nuk është e qartë se cilat pika u hoqën dhe cilat mbeten dhe dallimet e thella mbeten në pozicionet negociuese të Rusisë dhe Ukrainës.
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...