Sulmi më i madh ajror i Rusisë në Ukrainë, prej nisjes së luftës, i ka vënë zjarrin ndërtesës kryesore të Qeverisë ukrainase në Kiev dhe i ka lënë të vdekur tre persona, përfshirë një foshnje, trupi i së cilës është nxjerrë nga rrënojat, kanë thënë zyrtarët ukrainas të dielën.
“Për herë të parë është dëmtuar ndërtesa qeveritare nga sulmet e armikut, kulmi dhe katet e larta”, ka thënë kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, përmes një njoftimi në Telegram.
“Ekipet e shpëtimit janë duke shuar zjarrin”.
Dëshmitarët kanë treguar se katet e larta të ndërtesës së Qeverisë janë djegur dhe është parë tym i madh pak pas lindjes së diellit.
Forca ajrore e Ukrainës ka bërë të ditur se Rusia i ka nisur 805 dronë përgjatë natës në drejtim të Ukrainës, si dhe 13 raketa.
Mbrojtja ukrainase i ka rrëzuar 751 dronë dhe katër raketa.
Ky është numri i madh i dronëve të nisur nga Rusia prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.
Timur Tkachenko, shef i administratës ushtarake në Kiev, ka thënë se trupi i foshnjës është nxjerrë nga rrënojat në rajonin Darnitski, ku është dëmtuar një ndërtesë katërkatëshe e banimit.
Edhe një grua e re ka vdekur si pasojë e sulmit, ka thënë ai.
Zyrtarë për emergjenca kanë thënë se 18 persona janë plagosur në sulmin e kryer në orët e hershme të mëngjesit.
Moska nuk i ka komentuar sulmet. Ajo e mohon se shënjestron civilët në sulme, mirëpo mijëra persona kanë vdekur prej nisjes së luftës.
Svyrydenko ka bërë thirrje për më shumë armë për Ukrainën dhe që bota të përgjigjet ndaj sulmeve ruse.
“Ne do t’i rindërtojmë banesat”, ka thënë ajo.
“Por, jetët e njerëzve nuk mund të kthehen. Armiku po terrorizon dhe vret njerëzit tanë çdo ditë”.
Për pasoja nga sulmet është raportuar edhe në qytete tjera ukrainase, përfshirë Kremençukun, Krivi Rihun dhe Odesën.
Me rritjen e numrit të sulmeve në perëndim të Ukrainës, Polonia i ka aktivizuar aeroplanët e vet për të garantuar sigurinë, ka bërë të ditur komanda operacionale e ushtrisë polake. /REL/