Rusia dhe Ukraina këmbejnë të burgosur të luftës - Gazeta Express
string(48) "rusia-dhe-ukraina-kembejne-te-burgosur-te-luftes"

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 16:08

Rusia dhe Ukraina këmbejnë të burgosur të luftës

Lajme

Gazeta Express

14/08/2025 16:08

Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer secili nga 84 të burgosur të luftës, thanë zyrtarët e të dyja shteteve.

Gjatë këtij viti, të dy shtetet kanë liruar qindra të burgosur të luftës.

Këmbimi i fundit vjen në prag të samitit të nivelit të lartë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, që do të mbahet në Alaskë më 15 gusht.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram se Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësuan këmbimin, duke shtuar se personeli ushtarak rus i liruar po “merr ndihmë psikologjike dhe mjekësore”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale se në mesin e të burgosurve të këmbyer “ka edhe civilë dhe personel ushtarak”, disa nga të cilët “janë mbajtur nga rusët që nga viti 2014, 2016 dhe 2017”.

Ai tha se “mbrojtësit e Mariupolit” ishin po ashtu pjesë e këmbimit, duke iu referuar qytetit-port ukrainas që u mor nën kontroll nga forcat ruse më 2022, pas pothuajse tre muaj rrethim.

Zelensky shtoi se “do të ketë këmbime tjera” të të burgosurve.

Këmbimet në shkallë të madhe të të burgosurve ishin rezultati i vetëm i prekshëm i tri rundeve të bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, të zhvilluara nga maji deri në korrik.

Në rundin e tyre më të fundit të bisedimeve, të mbajtur muajin e kaluar, Rusia dhe Ukraina ranë dakord të shkëmbenin nga 1.200 të burgosur lufte secila.

Një negociator rus tha se Moska gjithashtu kishte ofruar t’i dorëzonte Kievit trupat e 3.000 ushtarëve të vrarë./REL/