Kina deh Rusia po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të sfiduar vendimet e institucioneve të brendshme të Bosnjës, duke përdorur Këshillin e Sigurimit si platformë ndërkombëtare për të ushtruar presion politik.
Kjo pasi këto dy vende kanë konfirmuar edhe një herë mbështetjen e tyre për liderin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, duke kërkuar mbajtjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Seanca do të mbahet sonte në orën 21:00, sipas kohës së Bosnjë e Hercegovinës, dhe do të jetë e mbyllur për publikun dhe mediat.
Sipas burimeve të portalit Klix.ba, kërkesa për mbajtjen e kësaj seance është dorëzuar që mbrëmë, me kohën lokale në Bosnjë, nga Rusia, ndërsa Kina ka shprehur mbështetje të qartë për këtë nismë.
Menjëherë pas marrjes së informacionit për kërkesën ruse, delegacioni i përhershëm i Bosnjë e Hercegovinës në OKB ka kontaktuar përfaqësuesit e vendeve anëtare aktuale të Këshillit të Sigurimit për t’i informuar rreth çështjes që ka nxitur këtë reagim të ashpër diplomatik.
Burime pranë përfaqësisë së Bosnjës në OKB bëjnë të ditur se, edhe pse nuk priten vendime apo konkluzione zyrtare pas kësaj seance të mbyllur, diplomacia boshnjake do të vazhdojë angazhimet gjatë ditës për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë rast.
Ende mbetet e paqartë nëse përfaqësuesit e Bosnjës do të jenë të pranishëm në këtë takim apo nëse do t’u lejohet të flasin. Sipas rregullave të një seance të mbyllur të Këshillit të Sigurimit, më e mundshme është që diskutimi të zhvillohet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Bosnjës.
Shkak i kësaj lëvizjeje është vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjës dhe Hercegovinës për t’i hequr mandatin Milorad Dodikut, pas një vendimi gjyqësor ndaj tij – gjë që ka shkaktuar reagime të forta nga Rusia.
Në një deklaratë të ambasadës ruse në Sarajevë, thuhet se “është momenti i së vërtetës” për Bosnjën dhe se vendi po shkon drejt një “pike pa kthim”, duke lënë të kuptohet për pasoja të rënda politike. Ndërkohë, ambasada kineze në Bosnjë nuk është prononcuar deri më tani, megjithëse Pekini ka dhënë mbështetje për seancën e thirrur në New York.