Një festival i dyditshëm i hororit, fantazisë dhe kulturës së stripave në Rusi, i njohur si Nekrokomikon, u mbyll papritur më 1 nëntor nga autoritetet ruse. Eventi u organizua në Shën Petersburg dhe tërhoqi pjesëmarrës të veshur si magjistarë, shtriga dhe personazhe nga stripat, por prania e një polici rus uniforme tërhiqte vëmendjen.
Shkak për mbylljen e shpejtë ishte një reagim nga aktivistë të lidhur me Kishën Ortodokse Ruse, të cilët përmes një kanali në Telegram e cilësuan ngjarjen “satane” dhe akuzuan organizatorët se përpiqeshin të rekrutojnë të mitur në një “lëvizje ndërkombëtare të ndaluar”.
Gjykata Supreme e Rusisë kishte shpallur më parë, në korrik, një grup të quajtur “Lëvizja Ndërkombëtare Satanike” si ekstremiste dhe kishte ndaluar aktivitetet e saj, megjithëse një organizatë e tillë nuk ekziston në realitet.
Autoritetet ruse ngritën akuza penale ndaj organizatorit, Aleksej Samsonov, dhe urdhëruan deportimin e tij drejt Kazakistanit. Samsonov, qytetar kazak që jeton prej 20 vitesh në Shën Petersburg, kishte prezantuar një kartë migracioni që i siguronte qëndrimin deri më 1 maj 2026, por pas verifikimeve, autoritetet pretenduan se peçeti nuk përputhej me standardet zyrtare. Gjykata urdhëroi mbajtjen e tij në qendrën e paraburgimit për të huajt deri më 29 janar 2026, dhe më pas deportimin.
Përpara mbylljes, Samsonov kishte njoftuar se ishin shitur rreth 2,000 bileta për festivalin, i cili përfshinte garë kostumesh, ekspozitë librash fantastiko-shkencorë dhe koncert rock. Emri i festivalit është një referencë për H. P. Lovecraft, autor i njohur amerikan i letërsisë së hororit dhe fantazisë.
Kisha Ortodokse Ruse shfaqet shpesh si mbrojtëse e “vlerave tradicionale” dhe është kundër ideve perëndimore, duke përfshirë të drejtat LGBT dhe feminizmin. Mbyllja e Nekrokomikonit vjen pas precedentëve të ngjashëm: në shkurt 2024, policia mbylli një konventë në Moskë të fansave të serialit “My Little Pony”, duke pretenduar se promovonte “propagandë LGBT”, edhe pse nuk u gjetën prova të aktiviteteve të paligjshme.
Ligji rus kundër “propagandës gay”, i zgjeruar në dhjetor 2022, ndalon publikimin, shpërndarjen dhe promovimin e çdo materiali që “nxit marrëdhënie seksuale jo tradicionale”. Javën e kaluar, autoritetet ndaluan gjithashtu platformën MyAnimeList për shkelje të këtij ligji.
Sot, FiveStar Fitness ngjitet në skenën e CineStar për një mbrëmje që premton emocion, motivim dhe shumë dhurata për...