Viktoria Grebeniuk, 32-vjeç dhe djali i saj tre muajsh Roman, u vranë në sulmin e mbrëmshëm rus në Kiev, raportojnë mediat ukrainase.
Apartamenti i tyre u godit nga një dron rus, shpërthimi i të cilit i hodhi nënë e bir nga dritarja, ndërsa babai i Roman pësoi lëndime të rënda.
Mbi dhjetë ndërtesa u dëmtuan në Kiev, disa prej tyre pësuan goditje të drejtpërdrejta nga dronë rusë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë në të gjitha vendet e goditura nga krimet e luftës ruse.
Kryeministrja ukrainase, Yulia Sviridenko, ka publikuar një video nga brenda ndërtesës qeveritare që u godit për herë të parë nga sulmet ruse që nga nisja e pushtimit në shkurt 2022.
“Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit total, rusët kanë goditur ndërtesën e Kabinetit të Ministrave, ku punon i gjithë ekipi ynë. Për fat të mirë, askush nuk u lëndua. Zjarri është shuar, falënderoj zjarrfikësit. Terrori rus nuk do ta ndalojë punën e qeverisë”, porositi Sviridenko në rrjetin X.
Ajo shtoi se është e qartë se Rusia nuk dëshiron paqe dhe bëri thirrje për më shumë sisteme mbrojtëse ajrore dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.
Gjatë natës së kaluar Rusia kreu sulmin më të madh ajror në Kiev që nga fillimi i luftës. U qëlluan rreth 800 dronë dhe raketa. Ndërtesa e qeverisë ukrainase u dëmtua për herë të parë, dhe të paktën tre civilë u vranë në sulme, përfshirë një fëmijë tre muajsh. Mbi 40 persona u plagosën.