Rusët luftojnë për “legjitimimin” e territoreve të aneksuara - Gazeta Express
string(58) "ruset-luftojne-per-legjitimimin-e-territoreve-te-aneksuara"

Rusët luftojnë për “legjitimimin” e territoreve të aneksuara

OP/ED

Halil Matoshi

17/04/2022 14:06

Ashiqare që Putin është peng i mitit të Rusisë së Madhe dhe një thirrjeje të përmasave hyjnore për “Rusinë qiellore” (ngjashëm me Slobodan Milošević-in) pra rikrijimin e “Botës ruse” si riseminim për Bashkimin Sovjetik.

Shkruan: Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Francis Fukuyama megjithë neohegelianët tjerë do mbeten të nemitur se si konflikte të reja rizgjohen, sëbashku me mënyrat e vjetra të dominimin.

Kur dijetari Samuel Huntington e zgjeroi tezën e tij për përplasjën e qytetërimeve edhe në bazë të dallimeve dhe përçarjeve kulturore, të rrallë ishin ata që besonin se lufta mund të nisë edhe ndërmjet ish kusherijve etnikë, brenda ish kampit socialist.

Në librin “Përplasja e Qytetërimeve dhe Ribërja e Rendit Botëror” (1996) ai shkruante se  kultura – në vend të shtetit – duhet pranuar si arsyeja e luftës. Kështu, sipas tij, kombet perëndimore do të humbasin dominimin nëse nuk arrijnë të njohin natyrën e papajtueshme të tensioneve kulturore.

Ai parashikonte se konflikti i pas Luftës së Ftohtë do të ndodhte më shpesh dhe në mënyrë të dhunshme për shkak të dallimeve kulturore dhe jo vetëm ideologjike.

Sipas planit të Kremlinit, Federata Ruse në fushatë kinse demilitarizuese e denacifikuese, do ta pushtonte Ukrainën për dy javë?

Të merrte Këjiv-in (Kyiv) dhe ta rrëxonte Qeverinë e ligjshme duke e ngritë një Qeveri kukull – proruse, për ta siguruar neutralitetin karshi NATO-s, të pjesës së mbetur nga Ukraina duke siguruar legjitimimin e aneksimit të Krimesë dhe shkëputjen e provincave Dontesk e Luhansk. Për neutralitetin e Ukrainës si realpolitikë, ç’është e vërteta, ishte angazhuar edhe Henry Kissinger, ish Sekretar i shtetit amerikan , 1973 – 1977, në një shkrim autorial në The Washington Post më 2014.

Por NATO as nuk kishte ngarendur ta “shtinte” nën ombrellë shtetin më të madh të kontinentit european, as nuk e kishte pranuar këtë neutralitet.

Sëkëndejmi, shtetet anëtare, kush  ma shumë e kush ma pak, ishin pajtuar me politikat e mosbërjes!?

Mirëpo, falë rezistencës së deritashme të ukrainasve dhe izolimit të Rusisë nga Perëndimi (sanksione ekonomike kundrejt Federatës Ruse dhe armatim modern për Ukrainës) plani i Kremlinit është bllokuar, nëse nuk ka dështuar plotësisht!?

Rusia u detyrua të nisë negociatat me Qeverinë e Ukrainës, fillimisht si blof, pastaj duke zbuluar ngadalë qëllimet e saj finale. Kryetari ukrainas Volodymir Zelensky duket se “pajtohet” me një zgjidhje kompromisi, por ashiqare që, Moska në mësymjet e saj është e qartë: Vizatimi i ashpër i një kufirit të ri me NATO-n, duke kërkuar që Ukraina ta ndryshojë kushtetutën e saj për t’i rënë mohit synimet për anëtarësim në NATO, njohjën de iure të aneksimit të Krimenë dhe  pavarësimit nga Këjiv-i i dy rajoneve separatiste Donetsk dhe Luhansk, të cilat do të përcaktoheshin pastaj “me referendum” t’i bashkëngjitën Federatës Ruse, si Republika autonome.

Zelensky iu shmang gazetarëve duke mos dhënë një përgjigje të prerë, por la të kuptohet se ky mund të jetë çmimi që duhet paguar Ukraina për ta ndalur luftën. Ish komediani në kostumin e Presidentit dha shenja “të ftohjës” në raport me NATO-n!?

Për rajonet separatiste Zelensky tha për Foregn Policy se (të paktën për çështjen e Donetskut dhe Luhanskut) mund të diskutohet dhe të gjendet kompromisi se si do të jetojnë njerëzit në këto territore.

Nëse Rusia nuk mjaftohet me kaq,    Putin ose do ta përserisë historinë e të përfundojë si Adolf Hitler-i, në ndonjë bunker, pasi të jetë bombarduar Moska, ose lufta do të jetë pa fitues dhe raca njerëzore do të jetë krejt afër fundit?

Perëndimi unik – Perëndimi i përçarë…

Në Perëndim, analistët po ngrisin teori të ndryshme për Vladimir Putinin, pa e fshehur frikën se atij do t’i rritën ambiciet pushtuese drejt “tokave të NATO-s”!

Më e shpeshta është “Teoria e të çmendurit” (Madman Theory) që si e tillë është sprovuar nga Richard Nixon. Por, gati pesë shekuj para ish Presidentit amerikan Nixon, në vitin 1517, Niccolò Machiavelli kishte argumentuar se ndonjëherë është “një gjë shumë e mençur të simulosh çmendurinë” (Diskurse mbi Livin, libri 3, kapitulli 2).

Sipas këshilltarëve të Nixon-it, (1969) duhej bërë e ditur sovjetëve se: “Për hir të Zotit, ju e dini se Nixon është i fiksuar kundër komunizmit. Ne nuk mund ta frenojmë atë kur ai është i zemëruar – dhe ai ka dorën në butonin bërthamor.”

Pas këtij blofi, komunistët u zmbrapsën dhe vetë Ho Chi Minh nga Parisi lutej për paqe!? (Haldeman, H. R. (1978. The Ends of Power (1978). Times Books.)

Siç shihet, qëllimi i kësaj strategjie, ishte të frikësohej Kremlini, duke ia mbushë mendjen se Shtetet e Bashkuara mund të godisnin të parët, me armë bërthamore, duke shkaktuar reagime irracionale.

Sipas kësaj teorite, Putin është mirë me shëndetin mental, por ai po bën blof për ta trembur Perëndimin.

Ashiqare që Putin është peng i mitit të Rusisë së Madhe dhe si një fanatik i ortodoksisë sllave, e ka bindur vetën se është i thirrur nga përmasa hyjnore për ta ringjallur “Rusinë qiellore” (ngjashëm me Slobodan Milošević-in) që e përdhosën komunistët, nga Lenini, Stalini, Hrushovi deri tek Gorbachev. Putin i ka hyrë një ‘Mission Inposible”, rikrijimin e “Botës ruse”, si riseminim për Bashkimin Sovjetik.

Sidoqoftë agresioni rus e shtyri Perëndimin drejt të menduarit militarist. ShBA për çdo javë po vendos sanksione të reja, Gjermania shtoi bugjetin ushtarak për 500 miliardë euro, Suedia e Finlanda dhanë sinjale të qarta se duan t’i bashkohen NATO-s, kurse BE si bllok, për herë të parë në histori ndanë nga bugjeti i saj qindra miliona euro për të blerë armë për Ukrainën.

Kosova “amatore” në tregimin me rus

Agresioni rus mbi Ukrainën në njerën anë e ka pacifikuar Serbinë zyrtare, duke e vënë nën presionin e Perëndimit, për të marrë anë, në anēn tjetër i ka hallakatur forcat fashiste e proruse serbe, për ta rindezur edhe një herë sentimentin për “Rusinë mëmë” që, bazuar në faktet historike është thjeshtë një genjeshtër.

Ndërsa pala kosovare ka shpërfaq një ngarendje të pabalancuar për të dëshmuar jo vetëm rreshtim me Perëndimin por dhe retorika të forta, pa ia kërkuar askush.

Natyrisht që Kosova përket në botën të cilës i prinë Amerika dhe duhet të qëndrojë pa u luhatur Në këtë kurs, por më së paku përfiton nga mburravecëria!?

Kosova zyrtare e bëri të ditur me Rezolutë në Kuvend se është në rreshtin euroatlantik dhe në vend se të nxiste frikë tek qytetarët duhej të ndalej!

Lidershipi kosovar zgjodhi modelin e kulturës së frikës duke sajuar ,paragjykime emocionale’ (Frank Furedi dhe më pas Barry Glassner) në vend të qetësimit të publikut.

Në anën tjetër, Qeveria ngriti kastile një fond për Sigurinë, duke marrë kritika publike se nuk ishte krejt në rregull nga aspekti legal dhe se, mbi të gjitha, mbajtja dhe rritja e ushtrisë me donatorë vullnetar nuk është model i NATO-s, ku vendi me një ombrellë të NATO-s me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dëshiron të anëtarësohet me pretendimin se “çdo gjë ka ndryshuar në arkitekturën e sigurisë globale”.

Mirëpi Selia e NATO-s nuk ka treguar ndonjë afeksion ndaj këtyre kërkesave të kosovarëve.

E, Perëndimi (përfshi ShBA-në) duket se vazhdon ta përkëledh Vučić-in, e kjo nuk po i kënaq kosovarët.

Kur Zëvendësnënsektetarja e shtetit amerikan Viktoria

Nulland, falemnderoi Vučić-in që ka marrë “anën e duhur”, duke e dënuar agresionin rus, njē këshilltare e Kryeministrit kosovar, Fëllënza Podrimja, iu kundërvu, duke zhvlerësuar falemnderimin e saj për Vučić-in, për ta fshi tweet-in pas disa orësh, ashiqare pas vërejtjës së shefit të saj.

Rusia me luftë, megjithatë, mund të marrë “hise” nga Ukraina por kjo ia lidh duart asaj në Këshill të Sigurimit të OKB rreth Kosovës  (sepse e përligj presedanin, siç e ka cilësuar vet Moska) dhe e bën t’pa pērfillshme fuqinë e Serbisë përball Perëndimit.

Qeveria e Beogradit është gjetur në zgrip: e frikësuar për fatin e saj në zgjedhjet e prillit dhe e frikësuar nga vet frika që mbjell çdo histori me rusë!?

Aleksandar Vučić kurrë nuk ka qenë më i zmbrapsur nga Kosova se tash, i gjetur ndërmjet turmash filoruse dhe botës së mugët mediale serbe, shumica nga to funksionojnë si raporte të inteligjencës serbe dhe stereotipave të hegjemonizmit serbian përgjatë një shekulli.

Turma me  zakone sjelljeje fashiste, si krijesa të propagandës së vet kreut të shtetit dhe shoqërisë serbe, që nuk krijoi kurrë brenda vetës ‘ukrainasin’ si identitet politik e kulturor euroatlantik, porse përgjatë katër Serbive (që nga ajo mbretërorja tek kjo e Vučić-it) mbeti e vetburguar në klerofashizëm.

Agresioni rus në Ukrainë, me pretekst mbrojtjën e rusëve nga “terrori neonazist” është një “De ja vú”.

Në emër të mbrojtjës së pakicave gjermane, Adolf Hitler e nisi fushatën e tij ushtarake që përfundoi në Holokaust, Slobodan Milošević  u tha serbëve në Fushë të Kosovës (1989) se askush nuk guxonte t’i rrihte dhe u kthye ta përmbushte premtimin më 1998-99, po ashtu shkoi në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë në fushata inkursive, në emër të mbrojtjës së serbëve që degraduan në luftra gjenocidale dhe nëse nuk ia doli gjithnjë, të zhdukte kombe të tëra ose pjesë të tyre, qëllimi ka ekzistuar, i qartë dhe i pa hamendje!

Bota nuk është më ajo e para 2/24. Në vend të frikës në Perëndim, sipas titullut të librit të Jean Delumeau, duhet të farkëtohet guxim për bashkim.