Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpreson që Arben Taravari, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut të marrë më shumë vota sesa kundërkandidati i tij shqiptar, Bujar Osmani në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që po mbahen sot në vendin fqinj. Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq me Qeverinë e Kosovës, është në garë zgjedhore edhe në RMV.
Gazeta Express
Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në këtë garë, presidenti aktual, Stevo Pendarovski synon ta fitojë edhe një mandat si shef i shtetit. Ai është kandidati i koalicionit për “Ardhmëri Europiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).
Gordana Siljanovska Davkova është kandidatja e favorizuar nga sondazhet. Ajo është kandidatja e opozitës maqedonase për presidente. Kishte garuar edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Dy kandidatët maqedonas pritet të kalojnë në rundin tjetër të zgjedhjeve presidenciale, por shqiptarët mund të jenë faktor i rëndësishëm në atë se cili prej tyre do të bëhet shef shteti, siç ndodhi herën e fundit.
Gjithsesi, për shqiptarët më shumë rëndësi do të ketë gara ndërmjet dy kandidatëve që synojnë t’i përfaqësojnë ata.
Fronti Europian, koalicioni i udhëhequr prej Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partisë më të madhe të shqiptarëve në RMV, garon me kandidat për president Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.
Opozita shqiptare, garon si koalicion i partive me akronimin VLEN dhe e ka Arben Taravarin si kandidat për president të vendit. Ai aktualisht drejton komunën e Gostivarit.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, e përfshirë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut
Partia që qeveris në Kosovë do të garojë për të marrë pak pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut.
Lëvizja Vetëvendosje e mbështet koalicionin e partive opozitare shqiptare në shtetin fqinj dhe merr pjesë në garën zgjedhore atje me tre kandidatë për deputetë, ndër të cilët është edhe këshilltari i kryeministrin Albin Kurti.
Gjithsesi, Qeveria e Kosovës u angazhua edhe në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Shkup, për ta ndihmuar kandidatin Arben Taravari dhe koalicionin e preferuar, VLEN-in.
Para rreth dy javësh, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kurti u angazhua në fushatën zgjedhore në RMV, duke e bërë çështje diskutimi atje një plan 9 pikësh të propozuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në qershor të vitit të kaluar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, pasi Bujar Osmani, i cili e kishte kryesuar këtë organizatë të rëndësishme, kishte treguar paraprakisht se si kishte kontribuar për shtensionimin e situatës në Kosovë, duke e përpiluar vetë atë plan.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e akuzoi kandidatin për president të RMV se e ka parë Kosovën me sytë e ndërkombëtarëve.
Këtë ndihmë të Qeverisë së Kosovës në betejën zgjedhore atje nuk mbeti pa e shfrytëzuar Taravari, i cili shkroi se si Osmani ia paska bërë “argatin Serbisë” dhe se se sa mirë ka bërë Qeveria e Kosovës sipas tij që “nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit”, pasi me të, “bandat e Vuçiçit nuk do të kishin gjetur rezistencë”.
Osmani reagoi më pas, duke i shënjestruar ato që ai i quajti “lojëra elektorale”.
Përtej kësaj, ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të merrte pjesë personalisht në tubimet e koalicionit VLEN në Cyrih dhe Berlin. Por, tha se “obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë”, dhe “kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji verior” ia pamundësuan pjesëmarrjen. Gjithsesi, në vend të tij atje e çoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Porositi që në zgjedhjet presidenciale të votohet masivisht, ndërsa tha se “Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Përendimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë”.
“Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e presidentin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkuren e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi”, tha Kurti në video-mesazhin e tij.
Fjalën e Kurtit e bëri publike këshilltari i tij nga Ohri, Bekim Qoku. Ai, së bashku me dy gra nga LVV, do të garojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të koalicionit VLEN.
Kurti më herët ka mohuar se po përzihet në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, por duket se ajo i intereson shumë. Para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në shtetin fqinj, ai i kishte sjellë në Prishtinë liderët e disa partive politike shqiptare, me të cilët ishin pajtuar se presidenti i radhës në Shkup duhet të jetë shqiptar.
“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Paraprakisht, ai nga Shkupi kishte thënë se LVV nuk garon dhe se shqiptarët duhej të vendosin vetë nëse do të kenë një kandidat për president.
Por kandidati i opozitës shqiptare për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, e ka pranuar para pak javësh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka inkurajuar që të garojë për këtë pozitë.
Në fund të vitit të kaluar, kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti kishte shkruar se Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit i ishte bashkuar koalicionit të opozitës shqiptare, me ç’rast njoftonte për hapjen e një shtabi të përbashkët në Shkup. Ky njoftim kishte ardhur disa muaj pasi këtë mbështetje kryeministri i Kosovës ua kishte ofruar edhe fizikisht gjatë një vizite shumë të diskutueshme në Maqedoninë e Veriut, në gusht të vitit 2023.
Aktualisht, Qeveria e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga Talat Xhaferi i BDI-së, i cili është bërë shqiptari i parë që e mori këtë detyrë. Është një qeveri teknike që do të zgjasë derisa të pasohet nga qeveria e re me mandat të plotë, e cila do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Po atë ditë, zhvillohet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale.
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...