Rudolf Marku si një forcë emancipuese në letrat shqipe - Gazeta Express
string(54) "rudolf-marku-si-nje-force-emancipuese-ne-letrat-shqipe"

Rudolf Marku si një forcë emancipuese në letrat shqipe

Gazeta Express

02/11/2020 14:37

Rudolf Marku, në agon-in e vet konfronton modele letrare jashtë traditës së imponuar. Pavarësisht izolimit kulturor të Shqipërisë, modelet estetike të inspirimit të tij vijnë si reflekse prej modernizmit të anatemuar Europian, të cilët pavarësisht izolimit, hynë edhe në Shqipëri me Samizdat-in tonë të drojtur e Sui generis

Gëzim Basha

Lexo Edhe:

Leximi i poezisë, pavarësisht lenteve personale, përherë nis me një kuriozitet standard, marrëdhënien e tekstit me traditën,  më saktë konceptin e autorit mbi traditën letrare.  Rudolf Marku hyn ndër autorët tanë të paktë i cili, qysh në fillimet e tij letrare në fillimin e viteve 70-të, duke refuzuar prerë parimin soc-realist të frymëzimit nga jeta, ka praktikuar me sukses leximin për inspirim, ambicje jo fort e lehtë në një kohë kur direktivat zyrtare urdhëronin me ton imperativ shmangien e ndikimeve të huaja, frymëzimin nga jeta dhe pasqyrimin me vërtetësi të realitetit.

Dy dekadat e para te krijimtarisë së Rudolf Markut, të kujtojnë vargun e Preç Zogajt, “qëlloi stinë e thatë për poezinë”, përkojnë me histerinë shurdhuese, anakronike dhe antihistorike ushtruar prej policisë politike në letërsi dhe arte. Vitet 70-80-të të shekullit të kaluar ishin vite kur atakohej çdo prirje për diversitet estetik,  një aksion politik donkishotesk, i cili synonte të pamundurën, kthimin e letërsisë shqipe në kohën e mimesis-it.

“Tek Platoni dhe Aristoteli,” thotë profesor Paul Fry i Yale University, “poezia konsiderohej imitim i realitetit ngaqë Grekët nuk patën trashëguar pika të tjera referimi. Prej teoricienëve latinë, Kuintilian dhe Ciceron, ideja e mimesisit  u transformua në imitatio, jo me imitimin e natyrës, por imitim i modeleve letrare paraardhës.” E tepërt të thuhet se me nocionin, imitim, Paul Fry nuk presupozon epigonizmin vulgar por pikat e referimit, ato kordinata estetike që përcaktojnë pastaj karakterin e krijuesit.

Shqipëria e dy dekadave të para të krijimtarisë poetike të Rudolf Markut kërkonte të injoronte këtë ligjësi të letërsisë, izolimi politik impononte një gjëndje mendore të nderë, e cila shkaktonte një  lloj autizmi kulturor masiv. Shumicën, refleksi i mbijetesës mentale e drejtonte nga programet e huaja televizive, ndërkohë që një numër i kufizuar, kryesisht shkrimtarë, praktikonin Samizdat-in—praktikë gjërësisht e njohur në BS dhe vendet kommuniste të Europës qëndrore—qarkullimin përmes shumëfishimit me makinë shkrimi, a shkrim dore të përkthimeve nga autorë të huaj, shumica edhe formalisht të ndaluar.

Mund të duket e habitshme, por sado e izoluar, Shqipëria pati hibridin e vet të Samizdatit: Ismail Kadare e lexoi dorëshkrimin e shaptilografuar të Doktor Zhivago-s në një apartament të braktisur të Moskës, ndërkohë që Dritëro Agolli, teksa kthehej nga studimet, flaku në det fletoren ku kishte kopjuar me shkrim dore poemën e Tvardovskit, Vasili Tjorkin në Botën Tjetër. Visar Zhiti, përpara arrestimit për motive politike, mbante në çantën e mësuesit vjershat e Jevtushenkos, Zija Çela kopjonte me shkrim dore variantin frëngjisht të romanit të Sabatos, Mbi Heronjt dhe Varret;  vetë Rudolf Marku, përkthente Të Vdekurit e Xhojsit dhe autorë të tjerë të modernizmit anglofon si T S Eliot, E Pound apo W. Oden, ndërkohë që Preç Zogaj bënte diçka edhe me të çuditshme: transkriptimin e emisioneve poetike të Radios Italiane . Në një vend si Shqipëria socialiste ku në çdo dekadë, pushkatoheshin apo vareshin në litar poetë lirikë, përpjekje të tilla  edhe pse rrezikonin çmim të rëndë, ishin mundësia e vetme për emancipim estetik në kohën e paranojës, për konceptimin e traditës jo sipas rekomandimeve politike, por sipas afiniteteve dhe ndjeshmërive personale.

…Poezitë e Rudolf Markut, pavarësisht embrioneve tematike, realizohen si fryt i atij procesi të pashmangshëm për të cilin Harold Bloom përdor termin Agon, dhe e përkufizon si një moment tensioni a përplasjeje të nisur në shtresën instinktive të psikikës, mes poetit aktiv dhe mjeshtrit paraardhës. Rudolf Marku, në agon-in e vet konfronton modele letrare jashtë traditës së imponuar. Pavarësisht izolimit kulturor të Shqipërisë, modelet estetike të inspirimit të tij vijnë si reflekse prej modernizmit të anatemuar Europian, të cilët pavarësisht izolimit, hynë edhe në Shqipëri me Samizdat-in tonë të drojtur e Sui generis. Simulacrum-i poetik i këtij autori vërtitet midis esencializmit  dhe përkujdesjes së përkorë ndaj imazhit… /Gazeta Liberale