Rubio: Lufta në Gazë nuk ka përfunduar, prioritet nxjerrja e pengjeve - Gazeta Express
string(67) "rubio-lufta-ne-gaze-nuk-ka-perfunduar-prioritet-nxjerrja-e-pengjeve"

Lajme

Gazeta Express

05/10/2025 16:42

Rubio: Lufta në Gazë nuk ka përfunduar, prioritet nxjerrja e pengjeve

Lajme

Gazeta Express

05/10/2025 16:42

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të dielën se lufta në Gazë nuk ka përfunduar ende, duke e përshkruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi vetëm si fazë të parë drejt përfundimit të luftës, siç e parasheh një plan amerikan i paqes prej 20 pikash.

Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Lufta në Gazë është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Rubio i ka thënë rrjetit televiziv amerikan NBC se Hamasi ka rënë dakord “në parim” me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump për kornizën e lirimit të pengjeve, dhe që do të zhvillohen takime për të koordinuar logjistikën e këtij procesi.

“Ata janë pajtuar në parim dhe në përgjithësi për t’i hyrë kësaj ideje se çfarë do të ndodhë më pas. Shumë detaje duhet analizuar”, ka thënë ai.

Duke folur më vonë për televizionin tjetër, Fox News, Rubio ka thënë se asgjë nuk është plotësisht e sigurt.

“Askush nuk mund të thotë se është 100 për qind e sigurt”, ka deklaruar ai.

Plani prej 20 pikash propozon përfundimin e luftimeve dhe lirimin e 20 pengjeve të gjalla izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe trupat e pengjeve tjera që kanë vdekur, në këmbim me qindra palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Duke folur në NBC, Sekretari amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta dinë shumë shpejt nëse Hamasi është serioz në këtë drejtim, kur të zhvillohen bisedime teknike për t’u koordinuar për lirimin e pengjeve.

“Prioriteti i parë, ai që besojmë se mund të arrijmë diçka shpejt, është lirimi i të gjitha pengjeve në këmbim të tërheqjes së Izraelit” në linjën e verdhë – ku Izraeli ka qenë brenda Gazës në mesin e gushtit, ka thënë Rubio.

Ai e ka përshkruar fazën e dytë, që ka të bëjë me të ardhme afatgjatë të Gazë, si “edhe më të vështirë”.

“Çfarë ndodh pasi Izraeli të tërhiqet në vijën e verdhë, dhe potencialisht edhe përtej saj, teksa gjërat ndodhin? Si do të krijohet kjo udhëheqje teknokrate palestineze që nuk është Hamas? Si do të çarmatohet grupi terrorist që ndërton tunele dhe kryen sulme kundër Izraelit?”, ka pyetur Rubio.

Sipas tij, të gjitha këto aspekte duhet të qartësohen, sepse pa to nuk mund të ketë paqe afatgjatë.

Ndërkohë, presidenti Trump ka thënë se Hamasi do të përballet me “shkatërrim të plotë”, nëse nuk heq dorë nga pushteti dhe kontrollon Gazën.

I pyetur nëse kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është i pajtimit për ndalje të bombardimeve në Gazë dhe mbështetje të planit amerikan për paqe, ai ka thënë se po.

Ai ka thënë se pret të mësojë shumë shpejt nëse Hamasi është i përkushtuar për paqe.

Si pasojë e ofensivës së nisur nga Izraeli për shkatërrim të Hamasit kanë vdekur më shumë se 66.000 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sipas grupeve ndërkombëtare të ndihmës, situata humanitare në Gazë është shumë e rëndë dhe palestinezët po vuajnë nga zia e bukës. /REL