Rubin Kazani e ka nisur me fitore sezonin e ri në kampionatin rus, duke marrë fitore me rezultat 2-0 ndaj Akhmat Groznyt në udhëtim.
Nga minuta e parë në këtë takim luajtën Mirlind Daku, Dardan Shabanhaxhaj dhe Veldin Hoxha.
Daku ndonëse luajti për 90 minuta nuk ia doli që të shënojë, por Shabanhaxhaj dhe Hoxha ia dolën ta bëjnë këtë.
Ishin pikërisht dy futbollistët shqiptarë të cilët ishin meritorët kryesorë për tri pikët e para të sezonit për Rubinin.
Për epërsinë e Rubin Kazanit u përkujdes fillimisht Shabanaxhaj, i cili në minutën e 24-të ia doli të shënojë për rezultatin 1-0.
Në anën tjetër prurja më e re e Kosovës, Veldin Hoxha, ia doli të realizojë golin e qetësisë në minutën e 51-të (2-0).
Ndërkohë në javën e dytë të kampionatit, Rubin Kazani do të ketë një punë të vështirë, pasi do të jetë nikoqir i Zenitit.