Rubin i demanton deklaratat e Hill për të, Thaçin dhe Albright: Ishte i anshëm, ishte në favor të LDK’së, për shkak të tij s’morëm “Po” nga UÇK - Gazeta Express
string(137) "rubin-i-demanton-deklaratat-e-hill-per-te-thacin-dhe-albright-ishte-i-anshem-ishte-ne-favor-te-ldkse-per-shkak-te-tij-smorem-po-nga-uck-1"

Lajme

Gazeta Express

15/09/2025 16:49

Rubin i demanton deklaratat e Hill për të, Thaçin dhe Albright: Ishte i anshëm, ishte në favor të LDK’së, për shkak të tij s’morëm “Po” nga UÇK

Lajme

Gazeta Express

15/09/2025 16:49

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin e ka quajtur të anshëm dhe kundër UÇK-së Christopher Hillin, ish-ambasadorin amerikan që gjatë luftës në Kosovë shërbeu si i dërguar special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ku ka shkuar për t’i mbrojtur ish-krerët e UÇK-së, iu lexua një deklaratë e Hill, ku ai pretendonte se ndihmësi i Albright gjatë negociatave për ndaljen e luftës në Rambuje po i fokusonte të gjitha përpjekjet te Hashim Thaçi.

“Jamie Rubin ishte i mendimit se udhëheqësi real i delegacionit të Kosovës ishte Hashim Thaçi dhe Albright duhet t’i fokusonte të gjitha përpjekjet e saj tek ai. Jamie kishte filluar t’i kushtonte veçanërisht vëmendje Thaçit, madje kishte shkuar aq larg sa që t’i rekomandonte se çfarë konstumesh e kravatash të vishte”, kishte thënë Hill, sipas asaj që lexoi një prokuror.

“Absolutisht e pasaktë”, tha Rubin.

Ish-zyrtari i lartë amerikan tha se Hill ishte “në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së”. Ai, sipas Rubin, ishte “përpjekur ta dëmtojë edhe Sekretaren Albright”.

“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe unë e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm. Ishte i anshëm në favor të LDK-së dhe ishte kundër UÇK-së. Unë kam qenë i paanshëm. Mua më është kërkuar të punoj me udhëheqësin e vetëshpallur të delegacionit. Chris Hill, në mënyrë shumë të pamatur e bën sikur unë flisja me Hashim Thaçin për kostumet e tij. Christopher Hill këtu ka qenë i anshëm, është përpjekur të ma dëmtojë figurën mua dhe këtë e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme. Gjithashtu është përpjekur ta dëmtojë edhe Sekretaren Albright, duke thënë se ajo është e influencuar nga drejtuesi i delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne thjesht kishim një objektiv që deshëm ta arrinim atje. Unë desha t’i realizojë objektivat e Sekretares Albright. Christopher Hill, në mënyrë të pavërtetë, duke shpikur histori, është përpjekur të ma dëmtojë mua imazhin, ka minimizuar edhe rolin tim si diplomat, duke nënkuptuar se ai ka qenë një diplomat i mirë”, tha ai.

Sipas Rubin, Hill po prishte punë në negociatat në Rambuje.

“Në fakt ai është personi që i dëmtoi disa nga diskutimet atje dhe nuk ishte personi që të na ndihmonte me UÇK-në dhe për shkak të tij, ne nuk e morëm PO-në nga UÇK-ja për marrëveshje, dhe kjo pati pasoja”, tha ai.