RTK rrezikon të humbasë mbi 800 mijë euro nga procedura përmbarimore - Gazeta Express
string(68) "rtk-rrezikon-te-humbase-mbi-800-mije-euro-nga-procedura-permbarimore"

Lajme

Gazeta Express

04/03/2026 7:26

RTK rrezikon të humbasë mbi 800 mijë euro nga procedura përmbarimore

Lajme

Gazeta Express

04/03/2026 7:26

Radio Televizioni i Kosovës po përballet me rrezikun e tërheqjes së mbi 800 mijë eurove nga llogaritë e tij, pas një procedure përmbarimore të iniciuar nga kompania “Grand Media”. RTK ka kërkuar shtyrje të pagesës deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme, duke paralajmëruar se ekzekutimi i menjëhershëm mund t’i bllokojë llogaritë, t’i rrezikojë pagat e punonjësve dhe ta dëmtojë funksionimin normal të transmetuesit publik.

Radio Televizioni i Kosovës po përballet me një nga presionet më serioze financiare të viteve të fundit, një procedurë përmbarimore që rrezikon të paralizojë funksionimin e transmetuesit publik, procedurë kjo që parasheh tërheqjen e mbi 800 mijë eurove nga llogaritë e transmetuesit publik.

Bëhet fjalë për një procedurë përmbarimore të iniciuar nga kompania “Grand Media”, me pronar Enis Ujkanin, pas aktvendimit të Gjykatës Komerciale, me ç’rast është refuzuar prapësimi i RTK-së dhe është lënë në fuqi urdhri përmbarimor i dhjetorit të vitit 2025.

RTK ka kërkuar shtyrje të përkohshme të ekzekutimit financiar deri në vendimin e shkallës së dytë, duke argumentuar se tërheqja e menjëhershme e mjeteve do të shkaktonte bllokim të llogarive operative, pamundësi për pagesën e pagave të punonjësve dhe përmbushjen e obligimeve kontraktuale bazike.

Sipas kërkesës së RTK-së, institucioni ndodhet në pamundësi objektive financiare, pasi ende nuk është bërë ndarja e buxhetit për këtë vit, ndërsa ekzekutimi i menjëhershëm do të rrezikonte funksionimin normal të transmetuesit publik.

Nga ana tjetër, kreditori ka kërkuar zbatim të menjëhershëm të përmbarimit përmes bllokimit të llogarive bankare, duke theksuar se procedura është juridikisht e konsoliduar dhe se detyrimi duhet të realizohet në tërësi.

Megjithëse të dyja palët kanë parashtruar mjete të jashtëzakonshme juridike, revizion pranë Gjykatës Supreme dhe janë në pritje të vendimit, rreziku mbetet prezent.

Ndonëse përmbaruesi privat, Flamur Bogaj, ka aprovuar pjesërisht kërkesën e RTK-së, duke shtyrë për 30 ditë ekzekutimin, nga data 18 shkurt deri më 20 mars 2026, ai nuk ka dashur të flasë për mundësinë e shtyrjes përtej muajit, kur ligji për Procedurën Përmbarimore e mundëson një gjë të tillë.

Flamur Bogaj, përmes telefonit, i ka thënë RTK-së se nuk pranon të deklarohet në asnjë formë për këtë çështje.

Sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore, Neni 63, Paragrafi 1, specifikon se organi përmbarues mund të shtyjë përmbarimin në bazë të nenit 61 dhe 62 të këtij ligji për kohën që e vlerëson të arsyeshme, duke i marrë parasysh rrethanat e rastit konkret, por jo më gjatë se gjashtë (6) muaj, përveç në rastet kur vlen paragrafi 3 i këtij neni.

Ajo që e bën këtë rast edhe më të ndjeshëm janë elementet që dalin nga komunikimet mes palëve. Përveç insistimit për zbatim të menjëhershëm të përmbarimit, kreditori, kompania “Grand Media” me pronar Enis Ujkanin, ka paraqitur oferta për marrëveshje që përfshijnë kushte të reja kontraktuale dhe angazhime për vitet në vijim.

Kjo situatë ngre dyshime serioze nëse presioni financiar po përdoret si instrument ndikimi ndaj transmetuesit publik, në një moment kur RTK ndodhet në pamundësi objektive financiare dhe ende pa ndarje të buxhetit për vitin aktual.

Megjithatë, rreziku për tërheqjen e mjeteve mbetet prezent, ndërsa menaxhmenti i RTK-së paralajmëron se një veprim i tillë do të kishte pasoja serioze për stabilitetin financiar dhe funksionimin institucional të transmetuesit publik.

Në këtë rast, çështja nuk është vetëm financiare. Është çështje e mbrojtjes së institucioneve publike nga një veprim që mund të ketë pasoja zinxhirore në funksionimin e tyre. Madje, një paralizim financiar do të nënkuptonte cenim të drejtpërdrejtë të interesit publik, rrezik për vendet e punës dhe destabilizim institucional.

RTK ka paralajmëruar gjithashtu ushtrimin e mjeteve të mëtejshme juridike, duke e konsideruar situatën si një rrezik serioz për interesin publik dhe funksionimin e një institucioni me rëndësi kombëtare.

Radio Televizioni Publik gjendet në pozitë të dëmtuar si pasojë e një procesi që buron nga kontrata e vitit 2011 me kompaninë “Grand Media” për realizimin e emisionit “Kush do të bëhet milioner”. Ndërprerja e njëanshme e kësaj marrëveshjeje ka prodhuar pasoja të rënda financiare për transmetuesin publik, duke e detyruar atë të përballet me një pagesë që, në kushtet aktuale buxhetore, konsiderohet tejet e rëndë dhe potencialisht fatale për funksionimin normal të mediumit publik.

Advertisement
Advertisement
Advertisement