Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi e ka quajtur vendim arbitrar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit e që bie ndesh me Kushtetutën.
Ai ka thënë se si e parasheh Kushtetua shpërndarjen e Kuvendit.
“Më lejoni të potencoj që në fillim që veprimi i sotëm për të shpërndarë Kuvendin dhjetë ditë më herët është qartazi në kundërshtim me Kushtetutën, është një veprim arbitrar që bie ndesh me bazën juridike, me bazën kushtetuese, dhe që natyrisht cenon funksionimin kushtetues të institucioneve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk parashikon asnjë shpërbërje kushtetuese për sa i përket afateve të shpërndarjes së Kuvendit. Në kontekstin aktual, për sa i përket zgjedhjes së Presidentit apo të Presidentes së Republikës, Kushtetuta e Kosovës parashikon dy momente të shpërndarjes së Kuvendit dhe natyrisht shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Momenti i parë është sipas nenit 86, paragrafi 6, kur pas dështimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, edhe në raundin e tretë, me pjesëmarrjen natyrisht të kuorumit, dështon zgjedhja e Presidentit të Republikës qoftë edhe me 61 vota pro. Moment i cili nuk është në situatën aktuale. Dhe e dyta, kushtetuese, është që pas fillimit të procedurës prej 60 ditëve, Kuvendi i Kosovës nuk arrin të zgjedhë Presidentin pavarësisht raundeve. Natyrisht, ne jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor. Ende pa u bërë 24 orë, edhe 59 ditë procedurë që Kuvendi të përpiqet për të zgjedhur Presidentin e Republikës, ne kemi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai në konferenn e Grupti Palramentar të LVV-së.
Ai insiston që dekreti është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
“Natyrisht që dekreti është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përbën po ashtu një cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues, për të cilin padyshim se bashkë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë kundër këtij dekreti, si dhe me kërkesë për masë të përkohshme për të pezulluar efektet dhe pasojat e pariparueshme në një afat aktual që pamundëson funksionimin e institucioneve në mënyrë ligjore, kushtetuese dhe në fund, natyrisht, vullnetin e dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit”, tha ai.