Rrugëtimi i Avdullah Hotit drejt postit të kryeministrit - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

03/06/2020 20:44

Rrugëtimi i Avdullah Hotit drejt postit të kryeministrit

Lajme

Gazeta Express

03/06/2020 20:44

Avdullah Hoti në zgjedhjet e gjashtë tetorit kishte fituar 26  mijë e 94 vota.

Në mëngjes u nisë në këmbë drejt Kuvendit të Kosovës.

Atje po mblidheshin deputetët për të votuar formimin e qeverisë së re, të cilës do t’i prinë vet Avdullah Hoti.

E kjo nuk ishte hera e parë që kishte marrë rrugë drejt pozitës më të lartë të ekzekutivit; atë të kryeministrit.

Ishte viti 2017 kur Hoti si mandatar i koalicionit LDK-AKR-Alternativa mori 115 mijë e 658 vota, kësisoj atëbotë nuk arriti të sigurojë këtë pozitë përmes votave të qytetarëve.

Por karriera e tij politike nuk kufizohet vetëm me emërimin e tij si kryeministër.

44 vjeçari i lindur në Ratkoc të Rahovecit kishte studiuar menaxhment dhe informatikë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet e magjistraturës dhe doktoratës i ka përfunduar në Britani të Madhe.

Hoti vazhdon të jetë profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Tashmë kryeministri i Kosovës, ka provuar disa pozita nëpër institucione.

Fillimisht punoi si këshilltar në Ministrinë e Arsimit, nga viti 2006 deri në vitin 2007.

Nga janari i vitit 2010 deri në vitin 2013 Hoti ishte nënkryetar i Komunës së Prishtinës.

Ishte viti 2014 kur Avdullah Hoti mori votat për deputet. E pas kësaj  nga viti 2014-2017, ka shërbyer si Ministër i Financave.

Në zgjedhjet e gjashtë tetorit, Avdullah Hoti mori përkrahje për deputet.

Ai fitoi 26 mijë e 94 vota, duke u renditur si njeriu i pestë më i votuar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më shumë se ai u votuan Vjosa Osmani, Anton Quni, Kujtim Shala e Lumir Abdixhiku.

Si pjesë e qeverisë Kurti, Hoti kishte pozitën e zëvendëskryeministrit, pozitë të cilën e mbajti deri në momentin kur u shkarkua nga Albin Kurti.

E rrugën që e bëri paradite në mëngjes në këmbë, pasditen e së mërkurës  Hoti e kaloi me veturën e të parit të qeverisë, e me mbrojtje të afërt.

Krejt kjo pasi që ai u votua  si kryeministër i Kosovës.