Rrugëtimi drejt emancipimit kolektiv. Ku gabuam? - Gazeta Express
string(46) "rrugetimi-drejt-emancipimit-kolektiv-ku-gabuam"

OP/ED

Gazeta Express

26/11/2022 10:49

Rrugëtimi drejt emancipimit kolektiv. Ku gabuam?

OP/ED

Gazeta Express

26/11/2022 10:49

Pas LNÇ në Kosovë kanë mundur të numërohen në gishta intelektualët me përgatitje universitare, Xhevdet Pallaska, Ali Sokoli, Daut Mustafa, Xheladin Deda e shumë pak të tjerë. Kapaciteti intelektual i Kosovës për fat të keq ishte ai që ishte.

Afrim Blyta

Lexo Edhe:

Kaloi një periudhë e hijes dhe e muzgut e afër dy dhjetëvjeçarëve pas së cilës filloi agimi në momentin që një grupi të politikanëve, kryesisht gjakovarë, u dha mundësia të vendosin për fatin e vendit të vet. Edhe pse në mesin e tyre nuk kishte intelektualë të mirëfillte dhe persona akademikë, ishin njerëz me standarde të pakontestueshme morale, të cilët udhëhiqeshin me interesin e përgjithshëm të cilit ia nënshtruan interesin personal.

Një standard të tillë e projektuan edhe në rrethin e tyre, i përzgjodhën njerëzit, jo në bazë të përkatësisë krahinore ose regjionale, por në bazë të kapacitetit intelektual dhe zotësisë që e kishin dhe në këtë ishin të pakompromis. E kuptuan se fondamenti i ndryshimit thelbësor në nivelin e përgjithshëm dhe kombëtar i ndryshimit emancipues dhe civilizues është edukimi dhe arsimimi dhe aty investuan të gjithë energjinë që e kishin në dispozicion. E kuptuan sidomos se çelësi i edukimit është edukimi i gruas, e kuptuan që po e edukove burrin e edukove një burrë, por po e edukove gruan e edukove një gjeneratë të tërë. 

Dhe në këtë vazhdë, bënë arritjen më të madhe historike, emancipuese dhe civilizuese për shqiptarët e kësaj treve, themeluan Universitetin e Prishtinës. Ai u themelua, me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i atëhershëm, më 18 nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë më 15 shkurt 1970, u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në fjalën e rastit  nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv, Rexhai Surroi, në mes tjerash tha, “gjuha shqipe nuk është më gjuhë e sharrëxhinjve dhe e hamajve, por gjuhë e intelektualëve, inxhinierëve, doktorëve dhe shkencëtarëve…”.

Shpërthimi civilizues që ndodhi në periudhën pas ishte i paprecedentë në historinë e këtyre trevave.  

Dhe prej “shiptar”, në kontekstin më pezhorativ, më nënçmues të kohës, jo si entitet përkatësi nacionale, por si profesion për punët më të ndyta dhe të ulëta, ndodhi mrekullia. Për dhjetë vite u arrit niveli civilizues, qytetërues i cili nuk u arrit në më shumë se dhjeta shekuj historie të dhembshme.

Nuk është materialja as mirëqenia materiale ajo që cilësoi atë periudhë, e që edhe ajo ishte, por ndryshimi i konstruktit të menduarit.

Është hera e parë në histori që në mënyrë kolektive mendohet si i barabartë dhe jo si shërbëtor, argat, çirak i tjetrit. Për herë të parë krijohet ndërgjegjja e identitetit kolektiv, se nuk jemi më të dobët se të tjerët dhe se të tjerët nuk janë më të fortë se ne, jemi të njëjtë në mesin e të barabartëve.

Dhe për këtë, meritë të pakontestueshme sipas mendimit nga njerëzit e ditur dhe të paanshëm nga aspekti ideologjik, ka udhëheqja vizionare e kohës e cila e gjeti fondamentin te uria bazike, fondamentale e popullit  të këtyre trevave për ndryshim dhe për arritje.

Ndijimi që edukimi do të ndryshojë prapambetjen shumëshekullore, që do të jetë instrument i arritjes së kërkesave historike, të ngritjes së vetëbesimit, vetërespektit, identitetit kombëtar dhe ngritjes së vetëbesimit dhe vetërespektit kolektiv, i cili nuk ekzistonte që nga koha e Skënderbeut. 

Në vitet ‘90 u përsërit ajo që ndodhi gjatë viteve ‘70 dhe ’80, liderë të rinj, por me vizion të njëjtë se rruga më e drejtë, më kuptimplotë dhe më e pashmangshme drejt lirisë dhe vazhdimit të emancipimit është edukimi dhe arsimimi. Dhe kjo u vërtetua edhe një herë gjatë këtyre viteve kur e gjithë energjia e  ekzistimit të këtij identiteti, vetëbesimi dhe vetërespekti ishte mishëruar në sistemin e arsimit, të ashtuquajturin sistem paralel, sistem i paprecedentë në histori. Sistemi u mbajt, e me të u forcua dhe rezistenca civilizuese e cila u manifestua me këtë proces të arsimit. E më të e mbajtën gjallë fanarin se dita e lirisë, një ditë pashmangshmërisht do të vijë. Arritje e paimagjinueshme dhe historike, pothuajse e paparë askund në botë.

Dhe një mendje e zakonshme që mendon në mënyre të logjikshme, që e udhëheq mendja e shëndoshë, do të thoshte se në dy decenie rrugëtim që nga çlirimi i fundit, po të vazhdohej me hapa të njëjtë, arritja do të ishte edhe shumë më e madhe, e paimagjinueshme, që emancipimi civilizues do t’i tejkalojë të gjitha pritshmëritë, sidomos në kohën e mundësive të arritjeve të teknologjisë dhe shumëfishimit të vëllimit të informatave.

Por, pavarësisht nga të gjitha këto, kjo nuk ndodhi. Shtrohet pyetja ku jemi sot me të vërtetë? Për fat të keq, pothuajse në të gjitha sferat e shoqërisë, e sidomos në edukim dhe arsim kemi regres i cili duket i pakuptimtë.

Shkolla në të gjitha anët, universitete dhe kolegje universitare si asnjëherë, kuadro të mësimdhënies, magjistra, doktorë të shkencave, sigurisht me numrin tejet konkurrent për kokë të banorit edhe me vendet më të zhvilluara, por mosdije, si asnjëherë më parë. Të rritur dhe akademikë e që nuk dinë të shkruajnë, pa minimum të mendimit kritik, e mos të flasim për fëmijë dhe adoleshentë. Diploma të pafundme si asnjëherë më parë,  të cilat nuk vlejnë as sa korniza në cilën janë futur. Koha kur kurrë më shumë, nuk ka pasë mundësi të mësohet dhe të dihet, por kur me pak, të mësuara nga gjeneratat e kohës.

A jemi kthyer sot në kohën e sharrëxhinjve e hamajve të viteve para universitare në Kosovë? Dhe atë tani në vend të lirë dhe të pavarur ku nuk ka mundësi të akuzohet dikush tjetër, punët i kemi si i kemi.

Pse?

Për fat të keq, në kohëra të turbullta, pas stuhisë së madhe në det, në sipërfaqe shpesh dalin fundërrinat e groposura thellë dhe kjo çka del në sipërfaqe nuk është e rastit, ashtu si kur dolën pas LNÇ, që nuk ishte e rastit, ashtu edhe kjo që doli pas luftës së fundit, nuk ishte e rastit.

Mungesa e indit fisnik, ideve të freskëta, mbyllja në autizëm pseudo-institucional, mungesa e pasionit dhe veprimeve operative të arrihet vizioni i paracaktuar, solli në sipërfaqe kapacitete njerëzore me ideologji regresive, të bazuara në mosdije, injorancë, amoralitet, mendime të tejkaluara në kohe dhe hapësirë, por me një objektiv të qartë, e ajo ishte pushteti. Pushtetin që ta shfrytëzojnë për qëllime  personale dhe të grupeve të ngushta të interesit.

Dhe të ju them të drejtën nuk është shkaku që këta persona nuk dinin, se po të jesh i hapur, i sinqertë, moralisht i strukturuar ndryshon, por problemi i këtyre është se, jo se nuk dinë, por nuk dinë që nuk dinë. Në të vërtetë një gjë e dinin dhe atë shumë mirë, ajo ishte se e donin shumë pushtetin.

Dhe këtu është thelbi i asaj PSE të madhe, me të cilën po ballafaqohet sot krejt Kosova, në çdo rrafsh e sidomos në arsim. E shfrytëzuan arsimin si instrument për arritjen e qëllimit. Nga arsimi si objektiv me qëllim, kauzë të misionit kombëtar në drejtim të avancimit, zhvillimit dhe prosperitetit, emancipimit civilizues, e transformuan arsimin në instrument të arritjes së qëllimeve të veta.

Prej arsimit i cili parimin kryesor e kishte vetën e parë shumës “NA”, në arsim i cili e ka parim kryesor vetën e parë njëjës “UNË”. Prej arsimit, i cili si parim e kishte përemrin pronor “EJONA”, në arsim i cili e ka parim kryesor përemrin pronor e “IMJA” ose e “JEMJA”.

Në proces të devalvimit të vlerës, e cila ishte pengesë në arritjen e pushtetit të tyre, në promovim të pseudo-vlerës. Në proces të mohimit të dijes me qëllim të promovimit të mosdijes, me të vetmin qëllim të eliminohet mendja e pavarur, që ishte pengesë në rrugëtimin drejt pushtetit të plotë, i cili ishte instrument, që në thelb e kishte grabitjen për qëllime personale. Sepse dija, vlera, fytyra, standardi moral, janë pengesë e arritjes së objektivave të tyre dhe si të tilla duhet eliminuar.

Se konstrukti i ri i krijuar duhet të jetë një makineri shumë efikase për mbajtën e pushtetit, të fituar në mënyrë jodemokratike, duke i promovuar militantët dhe partizanët si oponencë ndaj vlerave, fytyrës, nderit, duke i involvuar si aksionar, të një “ndërmarrje” të madhe kriminale, ku të gjithë në ndërmarrje fitojnë, por me së shumti kapoja. Duke eliminuar konkurrencën, margjinalizuar dhe anashkaluar vlerën e cila është e vetmja pengese e promovimit të pseudo-vlerës e cila paraqet terren të shkëlqyer për rritjen e injorancës për të cilin fakt nuk janë të ndërgjegjshëm.

Dhe ja arritën atë, të cilën nuk u arrit as gjatë shumë shekuj nën pushtimin osman dhe një shekull nën pushtimin sllav, e ndërruan konstruktin e të menduarit të këtij populli, ku fytyra i lë hapësirë të pafytyrës, nderi të pandershmes, patriotizmi pseudopatriotizmit dhe jo që arritën që të ndërrojnë konstruktin e të menduarit por në mënyrë të pavetëdijshme ia rrëmbyen edhe  shpresën, shikoni gjakderdhjen e cila nuk po ndalet!

Për fat të keq, kthimi i gjuhës shqipe, si gjuhë e “sharrëxhinjve dhe hamajve” me diplomë, në esencë ka dallim të madh nga ajo gjuhë e “sharrëxhinjve dhe hamajve” të padijshëm, por të cilët kanë dashtë me ditë.

Është gjuhë e vetëkënaqësisë, një lloj masturbimi pseudo-intelektual, që e jep ndjenjën e sigurisë e cila thelbësisht është e rrejshme, e cila nuk të bën vetëm të paaftë dhe të pazot të ballafaqohesh me sfidat individuale të jetës, por të bën edhe tejet vulnerabil, në situatë të ballafaqimit nga kërcënimi imanent, i  vazhdueshëm i ekzistencës kombëtare nga atë të cilët gjithmonë e kanë dashtë, e duan dhe gjithnjë do ta duan zhdukjen tonë biologjike nga faqja e dheut tonë. Dhe ngritja e narrativit të tillë, të diskursi të tillë, në esencë vetëm e çon ujin në mullirin e tyre duke na bërë edhe shumë më të eksponueshem ndaj kërcënimeve të tilla. 

A duhet të zhgënjehemi, PO, por a është situatë e pashpresë dhe se a duhet të dëshpërohemi dhe të hidhemi në defetizëm? Sigurisht që JO! A duhet zbuluar diçka të re? Definitivisht JO.

Këtë rrugë e kemi kaluar më herët edhe në situata më të vështira kur populli i padijshëm me ndihmën e elitës politike si fener arriti prej hiçi për dy decenie, të krijojë universitetin si të arritur më të madhe kombëtare të shqiptarëve të kësaj treve. Edhe sot duhet një elitë e tillë politike, të shërbejë si fanar për të njëjtin popull si para 6 dhe 4 deceniesh, e cila e kupton momentin dhe e zhveshur nga interesi personal e përcakton objektivin, se i vetmi instrument i emancipimit zhvillimit kombëtar dhe të ardhmes së sigurt dhe të ndritshme është arsimi dhe edukimi i mirëfilltë.

Dhe nëse ky fanar është i fuqishëm dhe ndriçon në mënyrë të barabartë tërë popullatën, do të vijë deri te bashkimi i plotë i tërë kombit në kauzë të njëjtë. Sesa është e rëndësishme kjo elitë fanar e kuptojmë nëse gjykojmë se nëse kemi elitë të ndërgjegjshme dhe të moralshme, populli do të jetë i ndershëm dhe nëse kemi elitë të pandërgjegjshme dhe të pamoralshme, po i njëjti popull bëhet i pandershëm.

Modeli ekziston, është në kujtesën tonë individuale dhe kolektive, duhet reagimi i njëjtë, i cili ndijohet në situata të kërcënimit ekzistencial. Dhe në momentin kur krijohen kushtet e koherencës në mes të elitës së pritur dhe masës e cila dëshiron ndërrimin, do të vijë deri te vetë çlirimi nga okupimi i vetvetes.

Dhe kështu të shpëtojmë nga ata që na duan në lindje, atje ku s’e kemi vendin, ose nga ata që na duan në kënetë, në të cilën pastaj do të vetëkënaqen, ata që na sollën këtu dhe të kthehemi  aty ku e kemi vendin edhe si gjeografi edhe si mendësi edhe si histori, në gjirin e familjes së ardhur dhe të emancipuar europiane.

Kosovës sot më shumë së asnjëherë i nevojitet një elitë politike me vizion, ajo që e ka kapacitetin ta shohë Kosovën pas 2-3 dekadash, elitë politike me pasion, elitë politike me guxim, elitë politike që nuk ka interesa personale, elitë politike të moralshme, elitë që di dallimin në mes të bardhës dhe të zezës dhe kur zgjedh, e zgjedh gjithnjë të bardhën. Kjo është ajo që i nevojitet Kosovës më shumë së çdo gjë, e sidomos sot!

Nëse jo tash, kur?  Nëse jo na, atëherë kush?

Dr. Afrim Blyta

Nga fjala në akademinë me rastin e 20 vjetorit të shoqatës së intelektualëve “Jakova”, Gjakovë, nëntor 2022.