“Rruga e re” e skandaleve të Përparimit - Gazeta Express
string(37) "rruga-e-re-e-skandaleve-te-perparimit"

“Rruga e re” e skandaleve të Përparimit

OP/ED

Gazeta Express

22/01/2024 10:16

Me ndihmën e asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, tetë hektarë djerrinë të dy biznesmenëve ish-bashkëpunëtorë të Përparim Ramës, janë këmbyer me 21 hektarë tokë ndërtimore. Skandali u bë publik pak ditë pas një tjetër skandali – rrëzimit të kulmit të objektit të Komunës, shkaku i punimeve të dobëta. “Rruga e re” e skandaleve të Ramës s’ka të ndalur.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Komuna e Prishtinës ka këmbyer një pronë komunale në Çagllavicë, me një tjetër private në Badoc, zonë kjo ku ndalohet ndërtimi. Mediat raportuan se ideja ishte e kryetarit Përparim Rama dhe propozimi më pas u votua në kuvendin komunal. Në dukje të parë asgjë e jashtëzakonshme por dy biznesmenët, të cilët për gjashtë hektarë djerrinë përfituan rreth 21 hektarë, në të cilët lejohet ndërtimi deri gjashtë kate, janë ish-klientë të Ramës. Arkitekti, i cili më pas u bë kryetar, ishte angazhuar për ndërtimet në pronën në Badoc në vitin 2020, por Lumir Abdixhiku, ministër i Ambientit në Qeverinë Kurti 1, e kishte shpallur atë pjesë zonë të gjelbër. Dy biznesmenëve toka iu mbeti e pashfrytëzuar, por tash komuna ua këmbeu me pronën në Çagllavicë ku, sipas mediave, një hektar vlen një milion euro.

Pasi plasi skandali, Rama u përpoq të arsyetohet se gjithçka ishte miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, me një vendim të vitit 2020. Por, kjo nuk doli të jetë e vërtetë. Ndërkohë, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar se vendimi për këmbimin e pronave është i kundërligjshëm dhe duhet të anulohet. Sipas IKD’së, vendimi nuk sqaron se cili është interesi publik në këtë rast dhe pyetja që ende nuk ka përgjigje është: si mund të konsiderohet interes publik realizimi i planit rregullues “Prishtina e Re – Zona Qendër”, përderisa është pikërisht kjo pronë që jepet në këmbim të një prone që s’ka të bëjë me këtë pjesë.

Gazetarja Saranda Ramaj ka pyetur se cili është interesi publik, që është kriter ligjor, për këmbimin e pronave? Ajo, po ashtu, ka ngritur dilemën se qysh mundet një kryetar interesin privat të ish-bashkëpunëtorëve të tij, ta vendos para interesit publik?

Këtyre pyetjeve Rama nuk iu është përgjigjur. Për skandalin nuk folur as kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i cili vazhdimisht propagandon “rrugën e re” të partisë. Ai duhet të sqarojë nëse ky skandal është në frymën e “rrugës së re” të qeverisjes.

Vendimi për këmbim është përkrahur edhe nga këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, të cilët siguruan kuorumin për votim. Ata dhanë një arsyetim banal për veprimin e tyre, duke thënë se vetëm kanë qenë në vendin e punës si këshilltarë. Por, po të donin që propozimi të mos votohej, ata thjeshtë do ta kishin braktisur sallën. Për kushedi çfarë arsye, Vetëvendosja e ka përkrahur vendimin dhe e ka përgjegjësinë e vet në skandal.

* * *

Pak ditë para se të bëhej publik skandali i këmbimit të pronave, një ngjarje e rëndë ndodhi në Prishtinë. Kulmi i ndërtesës së Komunës ra përtokë, duke e lënduar rëndë një 23 vjeçare. Kulmi ishte rregulluar në gusht të vitit të kaluar dhe për të ishin shpenzuar 386 mijë euro. Mediat raportuan se kompania fituese e tenderit kishte ndërruar pronar, pasi që pronari i vërtetë ishte dënuar për falsifikimin e dokumenteve të tenderit në një tjetër projekt dhe dënimi i plotfuqishëm do t’ia ndalonte pjesëmarrjen në tenderë të tjerë.

Tash sa ditë për ngjarjen e rëndë nuk ka dhënë askush përgjegjësi. As dorëheqje. Ndërkohë, dy arkitektë të njohur publikuan rezultatet e një ekspertize, sipas së cilës puna në objekt është bërë jashtë standardeve profesionale dhe në disa pjesë me materiale të dobëta. Sipas njërit nga ta, kjo s’u bë nga mosdija, por nga mungesa e etikës në punë dhe se përgjegjësi kanë ata që e kanë mbikëqyrë ndërtimin e objektit dhe ata që kanë bërë pranimin teknik të tij.

Komuna e kryetari “fajin” ia lanë erës së fortë, por ekspertët thanë se atë ditë nuk fryu një e tillë. Për çudi, atë ditë nuk fluturoi asnjë kulm tjetër në kryeqytet, përveç atij të Komunës që tash dy vjet udhëhiqet nga Përparim Rama, i ardhur me pompozitet nga Londra, si “zgjidhja ideale” për Prishtinën. Organet e drejtësisë kanë punë në të dyja rastet. Shumë punë.