Rruga e Qumështit mund të mos ketë vrimë të zezë supermasive në qendër - Gazeta Express
string(70) "rruga-e-qumeshtit-mund-te-mos-kete-vrime-te-zeze-supermasive-ne-qender"

Mistere

Gazeta Express

06/02/2026 21:16

Rruga e Qumështit mund të mos ketë vrimë të zezë supermasive në qendër

Mistere

Gazeta Express

06/02/2026 21:16

Shkencëtarët sugjerojnë se galaktika jonë mund të drejtohet nga një grumbull i madh i mistershëm i materies së errët, në vend të një vrime të zezë supermasive.

Derisa më parë besohej gjerësisht se Rruga e Qumështit ka një vrimë të zezë supermasive në bërthamë dhe një “halo” të shpërndarë materie të errët, studiuesit tani po propozojnë një teori alternative.

Gravitacioni i madh i një vrime të zezë do të shpjegonte orbitat e ashtuquajtura yje S, që rrotullohen rreth bërthamës me shpejtësi prej disa mijëra kilometrash në sekondë. Ndërkohë, tërheqja e lehtë e rethit të materies së errët shpjegon pse rrotullimi i galaktikës nuk ngadalësohet ndjeshëm drejt skajeve.

Studiuesit nga Instituti i Astrofizikës La Plata propozojnë që galaktika jonë mund të rrotullohet rreth një grumbulli të madh materie të errët. Materia e errët është substanca e padukshme që nuk shihet nga teleskopët, por që mendohet të përbëjë mbi një të katërtën e universit.

Sipas ekspertëve, një grumbull super i dendur i materies së errët mund të shpjegojë si lëvizjet e shpejta të yjeve pranë bërthamës galaktike, ashtu edhe rrotullimin e butë të galaktikës në shkallë të gjerë.

Dr. Carlos Argüelles, bashkëautor i studimit, thotë:

“Ne nuk po zëvendësojmë thjesht vrimën e zezë me një objekt të errët; po propozojmë që objekti supermasiv qendror dhe haloja e materies së errët të galaktikës janë dy manifestime të së njëjtës substancë të pandërprerë.”

Çelësi i kësaj sugjerimi që habit është një formë shumë specifike e materies së errët e përbërë nga grimca të quajtura fermione, grimca subatomike jashtëzakonisht të lehta. Në teori, këto grimca mund të formojnë një bërthamë super të dendur dhe kompakte, e rrethuar nga një halo e shpërndarë që vepron si një entitet i vetëm.

Bërthama e dendur shpjegon lëvizjen e shpejtë të yjeve S, ndërsa haloja e jashtme mund të shpjegojë lëvizjet më të gjera të galaktikës.

Dr. Argüelles thekson: “Kjo është hera e parë që një model i materies së errët ka lidhur me sukses këto shkallë shumë të ndryshme dhe orbitat e objekteve të ndryshme.”

Një nga provat më të rëndësishme për këtë teori është imazhi i bërthamës galaktike i marrë nga Event Horizon Telescope në 2022, ku shihej një halo drite rreth diçkaje të errët, që besohej të ishte vrima e zezë Sagittarius A*.

Sipas studimit të Argüelles dhe bashkëpunëtorëve, drita e prodhuar nga materie që rrotullohet rreth një grumbulli të dendur materie të errët krijon një imazh shumë të ngjashëm me atë të Event Horizon Telescope.

Valentina Crespi, autore kryesore dhe studente PhD në Institutin e Astrofizikës La Plata, thotë:

“Modeli ynë shpjegon orbitat e yjeve dhe rrotullimin e galaktikës, dhe është gjithashtu i përputhshëm me imazhin e famshëm të ‘hijes së vrimës së zezë’. Bërthama e dendur e materies së errët mund të imitojë hijen, duke shtrembëruar dritën dhe duke krijuar një errësirë qendrore të rrethuar nga një rreth i ndritshëm.”

Sipas studiuesve, të dhënat aktuale për yjet pranë bërthamës galaktike janë të pajtueshme si me modelin e vrimës së zezë, ashtu edhe me modelin e materies së errët. Megjithatë, ata argumentojnë se teoria e materies së errët është më e preferueshme, pasi shpjegon strukturën dhe sjelljen e Rrugës së Qumështit me një objekt të vetëm të unifikuar.

Në të ardhmen, vëzhgime më të sakta do të jenë të nevojshme për të përcaktuar me siguri se çfarë ndodhet në zemër të galaktikës. Për shembull, instrumente jashtëzakonisht të ndjeshme mund të detektojnë “unazat e fotoneve” – një shenjë dalluese e vrimave të zeza që do të mungonte në skenarin e materies së errët. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement