Psikologia serbe Ana Mirkoviq ka publikuar në platformën “X” një pretendim të fortë, duke u bazuar në informacione që sipas saj rrjedhin nga brenda Partisë Progresive Serbe (SNS). Ajo thotë se secila degë e kësaj partie ka marrë udhëzim të rekrutojë nga pesë deri në dhjetë të rinj, të cilët do të infiltrohen në mesin e studentëve dhe qytetarëve më 28 qershor në Beograd për të shkaktuar trazira.
“Ka rrjedhur një informacion nga dega e SNS në Nish – të gjitha degët në Serbi kanë marrë detyrë të rekrutojnë nga 5 deri në 10 të rinj që do të futen mes protestuesve dhe do të krijojnë incidente. Mjeranët më të mjerë në historinë e këtij vendi – këta janë”, ka shkruar Mirkoviq.
Ndërkohë, kryetari i SNS-së, Milosh Vuçeviq, ka deklaruar se kjo parti ka hequr dorë nga organizimi i mitingut të saj në Vidovdan (28 qershor). Ai ka shtuar se studentët që duan të mësojnë do të organizojnë një mbrëmje letrare.
“Nuk do të organizojmë asnjë tubim në Vidovdan në Beograd. Ndoshta do t’u bashkohemi studentëve në parkun e pionierëve apo ‘Cacilend’, ku po përgatitet një mbrëmje kulturore për atë ditë”, deklaroi Vuçeviq, raporton Nova
Studentët me dy kërkesa të reja
Studentët që janë në bllokadë kanë dalë me dy kërkesa të reja:
Që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shpërndajë Kuvendin Popullor dhe të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare deri më 28 qershor, ora 21:00.
Të hiqet zona e quajtur “Cacilend” nga Pionirski parku dhe nga hapësira përballë Kuvendit të Serbisë.