Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, Álvaro García Ortiz, ka njoftuar dorëheqjen pasi Gjykata e Lartë e shpalli fajtor javën e kaluar për publikimin e informacionit konfidencial në një çështje që përfshinte partneren e një figure të rëndësishme të opozitës.
Rasti, i konsideruar i paprecedentë, përbën një goditje për qeverinë e majtë të kryeministrit Pedro Sánchez, i cili e emëroi García Ortiz-in në vitin 2022 dhe e ka mbrojtur disa herë publikisht.
Në letrën e dorëheqjes, të siguruar nga Reuters, García Ortiz shkruan se vendimi për t’u larguar edhe para se të hynte në fuqi ndalimi dyvjeçar nga detyra, vjen “nga respekti i thellë” për vendimet gjyqësore. Ai shton se është i bindur se ka shërbyer me përkushtim dhe ndershmëri ndaj institucionit që ka përfaqësuar.
Dorëheqja pritej gjerësisht, edhe pse Gjykata e Lartë ende nuk ka publikuar arsyetimin e plotë të vendimit. García Ortiz ka ende mundësi të ankimojë në Gjykatën Kushtetuese të Spanjës dhe, në fund, në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“E respektojmë vendimin e gjykatës, por nuk pajtohemi me të”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë, Pilar Alegría, për televizionin publik TVE, duke theksuar se mungesa e unaniminit dhe njoftimi i vendimit pa arsyetim të plotë krijojnë një precedent shqetësues dhe kanë shkaktuar “habinë” e opinionit publik.