Rritje e çmimeve apo rritje ekonomike?! - Gazeta Express
string(37) "rritje-e-cmimeve-apo-rritje-ekonomike"

Rritje e çmimeve apo rritje ekonomike?!

OP/ED

Gazeta Express

26/10/2021 13:14

Rritja e hovshme e çmimeve në vend, pothuajse në të gjithë artikujt, e që rëndon xhepin e qytetarëve, është ndër temat më të përfolura ditëve të fundit.

Në fakt kjo do duhej të ishte tema kryesore e qeverisë, për të marrë masa preventive në bazë të trendit global të ekonomisë, përmes stimujve të ndryshëm, që sado pak të mund të evitoheshin pasojat ekonomike dhe sociale të qytetarëve të vendit tonë.

Lexo Edhe:

Këto diskutime është normale të bëhen nga të gjithë sepse secili në mënyrë direkte e inderekte është duke u ballafaquar dhe sfiduar me koston e lartë e çdo ditë në rritje dhe që siç duket nuk do këtë ndonjë stabilitet të shpejtë.

Por më shqetësuese është fakti se kemi dy tabore të ndryshme; në njërën anë janë qytetarët që më të drejtë shqetësohen për ngritjen e çmimeve dhe koston e papërballueshme, e në anën tjetër Qeverinë e Republikës së Kosovës, që më çdo kusht mundohet ta shesë si rritje ekonomike dhe si rezultat i përformancës së mirë!

Sigurisht që në rastin konkret Qeveria përdor të gjithë mekanizmat që ka në dispozicion për të vërtetuar diçka që është shumë diskutabile dhe lë shumë për të dëshiruar.

Zakonisht rritja ekonomike edhe mund të ndodh por edhe do të duhej të ndodhte nga një qeverisje e mirë me përformancë të mirë eknomike.

Qeveria do të duhej të krenohej për rritje ekonomike atëherë kur:

• Kemi ndryshime të politikave makro – fiskale e që japin efektin e vet në përformancën me të mirë të ekonomisë. Në Kosovë ka vite që nuk është ndryshuar asnjë politkë makrofiskale.

• Kur kemi investime të huaja direkte qindra milionëshe apo edhe miliardëshe, e në Kosovë ka vite që kemi rënie drastike të këtyre investimeve. Ndërkaq, janë ndërprerë të gjitha projektet edhe ato që kanë qenë në implementim e sipër.

• Kur kemi kombinime të shumta të politikbërjes, të rritjes së investimeve publike përmes nxitjes së investimeve dhe përkrahjes së mikro dhe makro bizneseve.

Një gjë e tillë as që është duke ndodhur e as që pritet të kemi ndonjë lëvizje për politika të investimeve të tilla.

Rritja e çmimeve sigurisht se vjen edhe si rezultat i trendeve në ekonominë globale, por është Qeveria ajo që përmes rregullatorëve të saj, duhet të ruajë ekuilibrin e tregut, për të mos dëmtuar dhe vështirësuar jetën e qytetarëve.

Rritja e çmimeve, në terma nominal prek rritjen ekonomike në periudhë afatshkurtër, por rritja reale pas mbylljes së cikleve vjetore do jetë një zhgënjim i madh për të gjithë.

Kjo do të këtë pasojat afatgjata dhe kostoja e secilës do të jetë shumë me e lartë se në rast të marrjes së masave preventive në kohën e duhur.

Qeveria nuk duhet të manipulojë me rritjen ekonomike nominale në periudha afatshkurta kohore, sepse shifrat në ekonomi mund të kthehen bumerang për periudhën me afatgjatë.

Autori është ekonomist dhe profesor universitar.

Prof. Ass. Dr. Bashkim  Mustafa