Rritje alarmante e psikozës te të rinjtë - Gazeta Express
string(40) "rritje-alarmante-e-psikozes-te-te-rinjte"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

04/02/2026 19:00

Rritje alarmante e psikozës te të rinjtë

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

04/02/2026 19:00

Ekspertët po paralajmërojnë për një rritje shqetësuese të rasteve të psikozës, veçanërisht te të rinjtë, një gjendje e rëndë mendore që lidhet me humbjen e kontaktit me realitetin dhe, në raste ekstreme, me dhunë të rëndë.

Një studim i ri nga Kanadaja ka evidentuar një shtim të ndjeshëm të diagnozave të sëmundjeve psikotike, përfshirë skizofreninë. Studiuesit analizuan të dhënat spitalore të 12.2 milionë personave të lindur mes viteve 1960 dhe 2009, që jetojnë në provincën e Ontarios. Rreth 152 mijë prej tyre u diagnostikuan me një çrregullim psikotik, dhe rritja më e theksuar u vu re te personat e lindur pas vitit 1980.

Sipas të dhënave, diagnozat e reja te adoleshentët dhe të rinjtë nga 14 deri në 20 vjeç u rritën me 60 për qind mes viteve 1997 dhe 2023. Ata të lindur mes viteve 2000 dhe 2004 rezultuan rreth 70 për qind më të rrezikuar për t’u diagnostikuar me skizofreni krahasuar me personat e lindur në fund të viteve ’70.

Skizofrenia është një sëmundje kronike e shëndetit mendor, e karakterizuar nga episode psikotike, deluzione dhe halucinacione. Studiuesit zbuluan gjithashtu se personat e lindur në fillim të viteve ’90 kishin 38 për qind më shumë gjasa të diagnostikoheshin me psikozë para moshës 30-vjeçare, krahasuar me brezat më të hershëm.

Studimi, i publikuar në revistën mjekësore CMAJ, tregon se diagnozat po bëhen më shpesh dhe në moshë më të re. Në përgjithësi, meshkujt rezultojnë më të prekur se femrat, ndërsa rreziku është më i lartë te personat nga shtresa socio-ekonomike më e ulët dhe ata me histori problemesh mendore ose abuzimi me substanca.

Autori kryesor, Dr. Daniel Myran, tha se këto trende ngrenë pyetje serioze mbi shkaqet dhe pasojat e rritjes së psikozës. Sipas tij, nuk ka gjasa të ketë një shpjegim të vetëm, por një nga faktorët kryesorë të dyshuar është përdorimi i drogave, veçanërisht kanabisit.

“Ekziston një lidhje e fortë mes përdorimit të substancave – përfshirë kanabisin, stimulantët dhe drogat sintetike – dhe zhvillimit ose përkeqësimit të çrregullimeve psikotike, sidomos kur përdorimi nis herët në jetë,” thekson ai.

Studime të mëparshme kanë treguar se adoleshentët që përdorin kanabis kanë deri në 11 herë më shumë gjasa të përjetojnë episode psikotike në moshë të rritur. Ndërkohë, forma gjithnjë e më të fuqishme të kanabisit, si “skunk”, që përmbajnë nivele shumë të larta të THC-së, rrisin ndjeshëm rrezikun për paranojë dhe halucinacione.

Ekspertë të tjerë përmendin edhe faktorë shtesë, si stresi social dhe financiar, përjetimet traumatike në fëmijëri, si dhe fakti që prindërit po bëhen gjithnjë e më të vjetër në moshë kur sjellin fëmijë në jetë, çka mund të ndikojë në rrezikun biologjik. Po ashtu, përmirësimi i diagnostikimit dhe ndërgjegjësimit mund të ketë çuar në identifikimin e më shumë rasteve.

Studimi vjen në një kohë kur disa krime të rënda janë lidhur drejtpërdrejt me episode psikotike, shpesh të përkeqësuara nga përdorimi i kanabisit. Psikiatër të njohur paralajmërojnë se psikozat e shkaktuara nga droga po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe po përbëjnë një problem serioz të shëndetit publik.

Ekspertët theksojnë se kuptimi i shkaqeve reale të kësaj rritjeje është thelbësor për parandalim, diagnostikim të hershëm dhe mbështetje më efektive për të rinjtë në rrezik. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement