Komisioni parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini e dërgoi Propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor në procedurë të mëtutjeshme në Kuvend. Me ndryshimet, me procedurë të shkurtër, propozohet rritje e të gjitha pensioneve për 1.000 denarë nga 1 marsi i këtij viti.
Deputetja Angelinka Petkova nga VMRO – DPMNE theksoi se ai është ndryshimi i katërt i ligjit, ndërsa pensionistët morën rritje prej 7.000 denarë për më pak se dy vjet.
“Me këto ndryshime ligjore parashikohet rritje e katërt e të gjitha pensioneve prej 1.000 denarë për të gjithë pensionistët që kanë realizuar të drejtën e pensionit deri më 28 shkurt 2026, të marrin 1.000 denarë shtesë nga 1 marsi. Me këto ndryshime ligjore, Qeveria e Republikës së Maqedonisë e ka arritur qëllimin e saj strategjik për përmirësimin e standardit të të gjithë pensionistëve dhe këtë përfitim prej 7.000 denarësh, rritje të përgjithshme të pensioneve, do ta kenë ndjerë mbi 320.000 pensionistë deri më tani”, tha Petkova.
Zgjidhja e re ligjore, sipas deputetes Imërlije Saliu – Fetai nga lëvizja BESA, ka për qëllim përmirësimin e standardit për pensionistët.
“Me këto ndryshime ligjore, siç premtuam, i kemi përmbushur ato premtime. Tani jemi në fazën përfundimtare të zbatimit të një rritjeje të pensioneve për 7.000 denarë. Fazat e mëparshme rezultuan me dy rritje me nga 2.500 denarë, tani kemi rritje të dytë lineare prej 1.000 denarë për të gjitha kategoritë e pensionistëve. Një fakt që është me rëndësi të madhe për pensionistët dhe do të ketë përfitime për uljen e varfërisë”, tha Saliu – Fetai.
tag_katrorimaqedoni_2