Rritja e “heterofleksibilitetit”: Orientimi seksual me rritjen më të shpejtë në Britani, sipas ekspertëve - Gazeta Express
string(101) "rritja-e-heterofleksibilitetit-orientimi-seksual-me-rritjen-me-te-shpejte-ne-britani-sipas-eksperteve"

Shneta tjera

Gazeta Express

01/01/2026 19:14

Rritja e “heterofleksibilitetit”: Orientimi seksual me rritjen më të shpejtë në Britani, sipas ekspertëve

Shneta tjera

Gazeta Express

01/01/2026 19:14

Me orë të fundit të vitit 2025 ende në kalendar, duket se në fjalorin shoqëror britanik po shtohet një term i ri: heterofleksibël.

Sipas një aplikacioni takimesh, kjo është orientimi seksual me rritjen më të shpejtë në Mbretërinë e Bashkuar. Termi përdoret për të përshkruar persona që identifikohen si heteroseksualë, por janë të hapur ndaj përvojave seksuale me persona të të njëjtit seks.

“Heterofleksibël” është një term ombrellë që mbulon një spektër të gjerë preferencash: nga ata që nuk e përjashtojnë një eksperiencë të mundshme me të njëjtin seks, deri te persona që e shohin veten si pothuajse biseksualë. Disa mund të kenë marrëdhënie ose kontakte seksuale me persona të të njëjtit seks, të tjerë vetëm ta pranojnë këtë mundësi në teori, ndërsa ka edhe nga ata që janë të hapur ndaj seksit në grup, por jo ndaj marrëdhënieve një-për-një me të njëjtin seks.

Aplikacioni Feeld – i cili u drejtohet përdoruesve që eksplorojnë jo-monogaminë etike, poliamorinë dhe kink-un – nuk zbulon numrin e saktë të përdoruesve të tij, por pohon se identifikimi si “heterofleksibël” është rritur me gati 200 për qind vetëm këtë vit, më shumë se çdo identitet tjetër seksual në platformë.

Nga personat që identifikohen si heterofleksibël:

rreth dy të tretat janë Millennials (të lindur nga fillimi i viteve ’80 deri më 1996),

18 për qind i përkasin Gjeneratës Z (1997–2012),

ndërsa 15.5 për qind janë nga Gjenerata X (1965–1980).

Kjo tregon se fenomeni nuk kufizohet vetëm te të rinjtë.

Dr. Luke Brunning, ligjërues në Universitetin e Leeds-it dhe specialist në filozofinë e dashurisë, seksit dhe marrëdhënieve, i cili ka bashkëpunuar me aplikacionin, thotë se rritja e shpejtë e heterofleksibilitetit tregon një ndryshim kulturor të rëndësishëm.

“Ky shpërthim sugjeron se kureshtja po bëhet gjithnjë e më e pranueshme shoqërisht, sidomos te brezat më të rinj,” shpjegon ai. “Për disa njerëz, ‘heterofleksibël’ përshkruan saktë mënyrën se si e përjetojnë tërheqjen ose si sillen zakonisht. Për të tjerë, mund të jetë më shumë një premtim ndaj vetes – diçka që duan ta eksplorojnë më vonë.”

Sipas Feeld, termi nuk ka një origjinë të qartë, por për herë të parë është vërejtur në zhargonin universitar në SHBA rreth vitit 2022.

Dr. Brunning shton se identifikimi si heterofleksibël mund t’u japë disa njerëzve më shumë liri personale, por nuk është pa kosto shoqërore.

“Për disa, çdo formë fleksibiliteti shihet si devijim nga norma heteroseksuale dhe gjykohet negativisht – veçanërisht për burrat, të cilët shpesh përjetojnë ‘fshirje biseksuale’,” thotë ai.

Nga ana tjetër, brenda komuniteteve queer, heterofleksibiliteti mund të shihet me dyshim, si hezitim për të pranuar hapur një biseksualitet të plotë ose si shenjë e homofobisë së brendësuar.

Aplikacioni thekson gjithashtu ekzistencën e termit homofleksibël, që përshkruan persona kryesisht të tërhequr nga i njëjti seks, por që mbeten të hapur ndaj tërheqjes ndaj seksit të kundërt.

Në një shoqëri gjithnjë e më fluide në identitete dhe përvoja, ekspertët thonë se këto terma pasqyrojnë më shumë një proces eksplorimi sesa etiketa të ngurta – dhe se debati rreth tyre sapo ka filluar. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement