Oda Ekonomike e Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të sektorit privat, i janë drejtuar kryeministrit të vendit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet e fundit globale që parashikojnë rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke kërkuar nga ky i fundit që të përkrah bizneset përmes subvencioneve, shkruan Gazeta Express.
Në komunikatën e OEK, përveç subevncionimit të sektorit privat, theksohet edhe kërkesa që ZRRE të anulojë vendimin për daljen në tregun e lirë të energjisë.
Më gjerësisht, në letrën e OEK thuhet se rritja e çmimeve e cila mund të kombinohet ehde me tregun e lirë, do të ishte goditje e rëndë për ekonominë e vendit.
‘‘Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lire pa një përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do te ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do tê përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje te vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zingjirit furnizues dhe në ngritjen e çmimeve te produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar rëndë fuqinë blerëse të qytetarëve’’, thuhet mes tjerash në letër.
Tutje, në letër theksohet edhe konflikti në Lindjen e Mesme, ku thuhet se nga informatat nga bizneset tregojnë se ky konflikt ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa në ditët në vijim pritet një rritje e çmimit të energjisë elektrike bashke me këtë edhe një rritje e inflacionit.
‘‘Situata tashmë e ndërlikuar po rëndohet me tej nga konflikti ne Lindjen e Mesme, veçanërisht me ndërhyrjen e fundit të Shteteve të Bashkuara. Informatat nga bizneset tregojnë se ky konflikt ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës ne tregjet ndërkombëtare, ditëve në vijim pritet një rritje e çmimit të energjisë elektrike bashke me këtë edhe një rritje e inflacionit dhe kjo do të jetë një barrë shtesë për bizneset kosovare, përveç asaj të energjisë elektrike, të cilën e kishin deri më sot’’, shtohet në letrën drejtuar Kurtit. /GazetaExpress