Rritja e çmimit të bulmetit, Autoriteti i Konkurrencës: Është ngritur një grup pune për monitorim tregu - Gazeta Express
string(101) "rritja-e-cmimit-te-bulmetit-autoriteti-i-konkurrences-eshte-ngritur-nje-grup-pune-per-monitorim-tregu"

Shqiperi

Gazeta Express

08/02/2023 17:40

Rritja e çmimit të bulmetit, Autoriteti i Konkurrencës: Është ngritur një grup pune për monitorim tregu

Shqiperi

Gazeta Express

08/02/2023 17:40

Autoriteti i Konkurrencës ka reaguar lidhur me njoftimet për rritjen e çmimit të bulmetit.

Në një status në “Facebook”, AK ka sqaruar se është ngritur një grup punë për monitorimin e këtij tregu.

Lexo Edhe:

Autoriteti i Konkurrencës sqaron: “Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.”

REAGIMI I PLOTË:

“Për monitorimin e tregut të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të qumështit”.

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e Grupit të Punës për monitorimin e këtij tregu.

Duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.

Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.