Rritet numri i rasteve të dhunës në familje në Gjermani - Gazeta Express
string(55) "rritet-numri-i-rasteve-te-dhunes-ne-familje-ne-gjermani"

Gazeta Express

02/08/2025 20:02

Rritet numri i rasteve të dhunës në familje në Gjermani

Gazeta Express

02/08/2025 20:02

Në Gjermani, më shumë njerëz sesa kurrë më parë janë bërë viktima të dhunës në familje më 2024, sipas një raporti të publikuar të shtunën.

Një total prej 256.942 personave janë prekur nga dhuna në familje, duke shënuar rritje prej 3.7 për qind, në krahasim me vitin paraprak, ka raportuar e përditshmja gjermane Welt am Sonntag, duke u bazuar në shifrat e Zyrën Federale të Policisë.

Por, jo të gjitha rastet janë raportuar, prandaj numri i saktë është edhe ma i madh, sipas ekspertëve.

Shoqata Sociale e Gjermanisë ka thënë se shifrat e fundit janë shqetësuese.

“Dhuna në familje kryesisht nënkupton dhunë kundër grave, çka i bën qendrat për kërkim ndihme edhe më të rëndësishme”, ka thënë kryetarja e shoqatës, Michaela Engelmeier.

Dhuna në familje është referencë për përfshirjen në dhunë të personave që janë, apo kanë qenë në lidhje, apo kur dhuna ka ndodhur brenda familjes, apo nëse ekzistojnë lidhje familjare.

Sipas statistikave, numri i grave që janë prekur nga ndonjë formë e dhunës është në rritje.

Të dhënat tregojnë edhe se dhuna në familje është rritur për 14 për qind në pesë vjetët e fundit.

Ministria për Çështje Familjare i ka thënë gazetës së rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje mund t’i atribuohet “rritje të krizave shoqërore, por edhe sfidave personale”.

“Megjithatë, ka mundësi të jetë rritur gatishmëria për t’i raportuar këto incidente”, ka thënë ministria.

Në shkurt të këtij viti, ligjvënësit e kanë miratuar një ligj për mbrojtje më të mirë të viktimave. Ligji kërkon ofrimin e shërbimeve të nevojshme për viktimat, për mbrojtje dhe këshillim.

Për të vepruar në përputhje me ligjin, Qeveria do të paguajë një total prej 2.6 miliardë eurosh në periudhën 2027-2036 për kërkesat e landeve.

Shumë organizata ankohen se viktimat e dhunës në familje kanë pak mbështetje dhe që strehimoret nuk i kanë kapacitetet e nevojshme për t’u marrë me to./REL