Sektori i turizmit në vend ka shënuar rritje gjatë muajit qershor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i vizitorëve është rritur për 12.8%, ndërsa netqëndrimet kanë pasur një rritje prej 15.9%, duke reflektuar interesin në rritje për turizmin në vend.
“Numri i vizitorëve për muajin qershor, sipas anketës se hotelerisë në Republikën e Kosovës, në muajin qershor 2025, krahasuar me muajin qershor 2024, numri i vizitorëve ka pasur rritje për 12.8%, ndërsa netqëndrimet e tyre kanë pasur rritje për 15.9%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërkaq dhe numri i turistëve të huaj që vizitojnë Kosovën është rritur në qershor të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëtë të vitit paraprak.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershor 2024, Kosovën e kishin vizituar 36,211 vizitorë të huaj, ndërsa në qershor 2025 ky numër ka arritur në 39,555, që përbën një rritje prej 9.2%.
Sipas ASK-së, vizitorët e huaj që kanë frekuentuar më së shumti Kosovën vijnë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.