Rriten vlerat e manganit në liqenin e Badocit, IKSHKP dhe Ujësjellësi: Mos e pini, ju sigurojmë ujë me autobote - Gazeta Express
string(108) "rriten-vlerat-e-manganit-ne-liqenin-e-badocit-ikshkp-dhe-ujesjellesi-mos-e-pini-ju-sigurojme-uje-me-autobote"

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 16:50

Rriten vlerat e manganit në liqenin e Badocit, IKSHKP dhe Ujësjellësi: Mos e pini, ju sigurojmë ujë me autobote

Lajme

Gazeta Express

01/09/2025 16:50

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë njoftuar se janë rritur vlerat e manganit në ujë, në zonën që furnizohet nga liqeni i Badocit, e që përfshin shumë lagje të Prishtinës dhe zona përreth kryeqytetit.

“Analizat e fundit laboratorike tregojnë tendencë në rritje të përqendrimit të manganit si në ujin e liqenit, ashtu edhe në rrjetin shpërndarës. Edhe pse këto vlera e tejkalojnë kufirin e paraparë në Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 – Cilësia e ujit për konsum nga njeriu, deri më sot ato nuk e kanë tejkaluar standardin shëndetësor që konsiderohet se mund të ndikojë shëndetin e njeriut”, thuhet në njoftimin e përbashkët për media.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK dhe KRU “Prishtina” apeluan te qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badocit që “të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës”.

“IKSHPK thekson se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit. IKSHPK ka sforcuar kontrollin e cilësisë së ujit të pijshëm si dhe bashkëpunimin me KRU Prishtinë për të siguruar ujin cilësor për qytetarët”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” tha se ka ndërmarrë “menjëherë masat e nevojshme”, të cilat përfshijnë “zvogëlimin e sasisë së prodhimit për të ruajtur cilësinë e furnizimit; Intensifikimin e proceseve të shpërlarjes së rrjetit shpërndarës, përfshirë edhe gypat magjistral dhe sekondar; Gjithashtu, për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura (sipas hartave të prezantuara), KRU “Prishtina” do të ofrojë ujë përmes autoboteve, në përputhje me orarin e përcaktuar dhe të prezantuar nga kompania”.

Zonat e prekura: Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga liqeni Badoc, Hajvalia, Veterniku, Lagja 038, Lagja Qëndresa, Qëndresa Home, Swiss Village, fshati Preoc, Çagllavicë, Rr. Behar Begolli, Rr. Richard Holbrooke, Qendra tregtare Albi Mall, Rr. Shkupi, Rr. Holger Petersen, Rr. Malush Kosova, Lagja Qershia, Lagja NIC, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza, Rr. Enver Maloku, Lagja Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, Standardi, Rr.Ferat Dragaj, Rr. Hajrullah Abdullahu, Rr. Hilmi Rakovica, Rr. Vëllezërit Gërvalla, Rr. Afrim Zhitija, Rr. Armend Daci, Rr. Dervish Rozhaja, Rr. Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, Rr. Sali Nivica, Rr. Norbert Jokl, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, Rr. Mehmet Gradica, Rr. Hyzri Talla, Rr. Qamil Bala.