Gjashtë anëtarë ekuipazhi kanë vdekur pasi që një avion ushtarak amerikan për furnizim me karburant në ajër është rrëzuar në perëndim të Irakut, thanë zyrtarët.
Avioni KC-135 u rrëzua në perëndim të Irakut rreth orës 14:00 më 12 mars, njoftoi në një deklaratë të premten Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Identitetet e ushtarëve të vdekur nuk janë bërë publike dhe do të mbahen të fshehta për 24 orë derisa të njoftohen familjarët e tyre, raporton Sky News, përcjell Gazeta Express.
Rrëzimi i avionit “nuk ishte rezultat i zjarrit armik apo zjarrit miqësor”, tha CENTCOM, duke përsëritur një deklaratë të mëhershme për incidentin, në të cilin ishte përfshirë edhe një avion tjetër që kishte arritur të ulej në mënyrë të sigurt.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se edhe avioni tjetër ishte një avion furnizues KC-135.
Rrethanat e incidentit janë ende nën hetim, shtoi CENTCOM.
Një grup ombrellë i forcave të mbështetura nga Irani, i quajtur “Rezistenca Islamike në Irak”, mori përgjegjësinë për rrëzimin e avionit të enjten. Megjithatë, ky grup edhe më parë ka bërë pretendime të rreme për sulme gjatë luftës me Iranin.
Ushtria amerikane e ka përdorur avionin KC-135, të ndërtuar nga Boeing në vitet 1950 dhe në fillim të viteve 1960, për më shumë se 60 vjet për furnizimin e avionëve me karburant gjatë fluturimit, duke u mundësuar atyre të kryejnë misione pa pasur nevojë të ulen.
Shtatë ushtarë amerikanë – 13 nëse përfshihen edhe anëtarët e ekuipazhit të avionit të rrëzuar – janë vrarë që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.
Deri tani, lufta ka shkaktuar më shumë se 2,000 viktima, përfshirë rreth 700 në Liban. Izraeli ka zgjeruar ofensivën kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani, ndërsa sulmet gjatë natës kanë goditur edhe kryeqytetin e Libanit, Bejrutin.