Rrëzohet helikopteri i ushtrisë siriane, nuk ka të mbijetuar

Lajme

Gazeta Express

15/02/2020 8:57

Një helikopter i ushtrisë siriane është rrëzuar në pjesën veriperëndimore të këtij shteti, ku ofensiva qeveritare për marrjen nën kontroll të bastionit të fundit të rebelëve ka shkaktuar një shpërngulje masive të qindra mijëra civilëve.

Mediet shtetërore siriane thanë se helikopteri u godit nga një raketë e forcave armike të premten rreth orës 1 e 40 minuta sipas kohës lokale afër qytezës Urum al-Kubra.

“Kjo gjë e shkaktoi rrëzimin e helikopterit, duke i lënë të vdekur të gjithë personat që ndodheshin në të”, raportoi agjencia “SANA”, pa dhënë informata për atë se kush qëndron prapa këtij sulmi.

Sidoqoftë, Fronti Çlirimtar Kombëtar e mori përgjegjësinë për rrëzimin e këtij helikopteri përmes një deklarate, shkruan “Al Jazeera”, transmeton Gazeta Express.

Ky incident ndodhi disa ditë pasi rebelët thanë se e kanë rrëzuar një helikopter tjetër të forcave qeveritare të martën afër qytezës Nairab.

Që nga dhjetori i kaluar, forcat qeveritare siriane, të përkrahura nga ushtria ruse, e kanë nisur një ofensivë kundër rebelëve në pjesën veriperëndimore të Sirisë.

Më shumë se 800 mijë njerëz janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë vend më të sigurt afër kufirit me Turqinë.