Farmacistët po paralajmërojnë se përdorimi i shpeshtë i ilaçeve kundër inflamacionit, si ibuprofeni, mund të rrisë rrezikun për sëmundje serioze të veshkave, madje edhe për pasoja fatale.
Ekspertët e Kidney Care UK dhe National Pharmacy Association kanë bërë thirrje që pacientët të monitorojnë më me kujdes përdorimin e këtyre qetësuesve të dhimbjes, sidomos kur merren për periudha të gjata ose pa këshillë mjekësore.
Oliver Picard, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Farmacistëve, theksoi se ilaçet mund të shërojnë, por edhe të dëmtojnë. Sipas tij, barnat kundër inflamacionit si ibuprofeni janë efektive dhe të sigurta kur përdoren siç duhet, por pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e tyre, veçanërisht nëse kanë rrezik më të lartë për sëmundje të veshkave.
Ai sugjeron që, kur është e përshtatshme, të merret në konsideratë edhe përdorimi i alternativave si paracetamoli.
Ibuprofeni, aspirina dhe naprokseni bëjnë pjesë në grupin e barnave të njohura si anti-inflamatorë josteroidë. Këto ilaçe veprojnë duke bllokuar prodhimin e prostaglandinave – substanca kimike që shkaktojnë dhimbje dhe inflamacion në trup – dhe japin lehtësim afatshkurtër.
Megjithatë, rreziku qëndron në faktin se këto barna mund të rrisin tensionin e gjakut dhe, në raste më të rënda, të shkaktojnë gjakderdhje të brendshme. Kjo mund të ulë qarkullimin e gjakut drejt veshkave dhe të shkaktojë dëmtime të rënda, potencialisht kërcënuese për jetën.
Të dhënat tregojnë se rastet e sëmundjes kronike të veshkave janë më shumë se dyfishuar në tri dekadat e fundit. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 7.2 milionë persona jetojnë me një formë të kësaj sëmundjeje.
Ekspertët e kanë cilësuar shpesh sëmundjen e veshkave si një “vrasës të heshtur”, sepse në fazat e hershme zakonisht nuk jep simptoma. Shenjat paralajmëruese shfaqen shpesh vetëm kur funksioni i veshkave është dëmtuar rëndë dhe mundësitë për trajtim janë më të kufizuara.
Simptomat mund të përfshijnë lodhje, ënjtje të kyçeve, këmbëve ose duarve, vështirësi në frymëmarrje dhe gjak në urinë.
Pasi dëmtimi i veshkave ndodh, ai zakonisht nuk mund të rikthehet. Për këtë arsye, mbrojtja më e mirë mbetet parandalimi ose kapja e hershme e problemit.
Fiona Loud, drejtoreshë për politikat në Kidney Care UK, tha se sëmundja e veshkave mund të prekë këdo, në çdo kohë, dhe të ketë ndikim shkatërrues jo vetëm në shëndetin fizik e mendor, por edhe në jetën familjare dhe financiare.
Ajo paralajmëroi se një person mund të humbasë deri në 90 për qind të funksionit të veshkave pa e kuptuar, ndaj është thelbësore të njihen shenjat, faktorët e rrezikut dhe hapat që duhen ndërmarrë nëse lind shqetësimi.
Profesionistët e shëndetësisë u bëjnë thirrje sidomos grupeve më të rrezikuara – si personat me diabet, me tension të lartë, me histori familjare të sëmundjes së veshkave, si edhe njerëzve nga komunitetet me rrezik më të lartë – të jenë më të kujdesshëm me përdorimin e barnave anti-inflamatore.
Edhe pse sëmundja nuk ka shërim përfundimtar, trajtimi mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave dhe kontrollin e problemeve shoqëruese, si tensioni i lartë apo kolesteroli.
Shumë pacientë përfundojnë në dializë disa herë në javë, ndërsa disa të tjerë kanë nevojë për transplant veshke. Dializa, që kryen pjesërisht funksionin e veshkave duke filtruar mbetjet dhe lëngjet e tepërta nga trupi, është një nga kostot më të mëdha për sistemin shëndetësor britanik.
Para zhvillimit të sëmundjes kronike, shpesh shfaqet ajo që njihet si dëmtim akut i veshkave, kur veshkat ndalojnë papritur së funksionuari siç duhet. Pa trajtim të shpejtë, në trup grumbullohen nivele të rrezikshme kripërash dhe substancash kimike. Në rastet më të rënda, kjo mund të çojë në dështim të plotë të veshkave, e më pas edhe në dështim të shumë organeve, infarkt ose goditje në tru.
Sipas një raporti të vitit të kaluar, në vitin 2023 sëmundja kronike e veshkave ishte shkaku i nëntë kryesor i vdekjeve në botë, duke marrë afro 1.5 milionë jetë dhe duke kaluar edhe sëmundje të tjera të rënda si tuberkulozi.
Ekspertët besojnë se kjo rritje lidhet me shtimin e rasteve të diabetit, obezitetit, tensionit të lartë dhe përdorimit të tepruar të barnave anti-inflamatore. Vlerësohet se rreth 40 për qind e personave me diabet zhvillojnë më pas sëmundje të veshkave.
Farmacistët këshillojnë që çdo person që ka shqetësime për përdorimin e ibuprofenit apo barnave të ngjashme, të konsultohet me farmacistin ose mjekun. Ata mund të japin këshilla për përdorimin e sigurt të barnave dhe alternativa më të përshtatshme për menaxhimin e dhimbjes. /GazetaExpress/