Rreziku i një historie të vetme - Gazeta Express
string(31) "rreziku-i-nje-historie-te-vetme"

Rreziku i një historie të vetme

Gazeta Express

04/08/2020 14:09

Historia jonë personale dhe kolektive është po ashtu një anë e tregimit, historisë. Ka dhe duhet të ketë edhe anë të tjera. Jo për ta dëmtuar të vërtetën, por – duke e pasuruar – për ta kristalizuar

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Jam rritur në një vend – por kjo, përveç me rrethin, më tepër ka të bëjë me familjen, dhe më tej, ndonjëherë edhe më një individ të vetëm – ku “tjetri” është parë prore si mishërim i të keqes, vesit, mëkatit, të padrejtës. “Tjetri”, ai që nuk e kishte përkatësinë tonë nacionale, fetare; zakonet dhe kulturën. Dhe që banaliteti dhe absurdi të arrijnë kulmin, në jo pak raste të tilla: “tjetri” as nuk është i pranishëm fizikisht as shpirtërisht në zonën tënde të “pastërtisë”, “ideales”. Ku jam rritur unë – dhe kjo tash ka të bëjë më shumë me mua dhe për shkak të një personi, kam qenë i ekspozuar ndaj një diskursi që i ka paraqitur, për shembull, serbët, dervishët dhe hebrenjtë si të keqen më të madhe mbi rruzullin e tokës. Me termin ‘serbët’ është mbështjellë në pako pastaj edhe identiteti fetar, që do të thotë se mbi rruzullin e tokës e keqja janë të krishterët, që do të thotë pra, edhe katolikët dhe, nënkuptohej, nëse ka shqiptarë katolikë, natyrisht, nuk duhet kurrë të jesh si ata.

Më është dashur të arrij një moshë të caktuar që të dal – megjithëse nuk kam treguar asnjë interesim për gjithë atë diskurs – nga ai moçal urrejtjeje, paragjykimi e injorance. Ta kuptoj rrezikun e një tregimi të vetëm.

Gjithë këtë ma kujtoi edhe letra e Petrit Halilajt drejtuar organizatorëve të Bienales së 58-të në Beograd, me të cilën paraqiste tërheqjen e tij nga manifestimi. Pasi rrëfen një pjesë së historisë së tij dhe vendit të tij, Halilaj, me plot urtësi, shpreh se e gjithë ajo që shkroi është njëra anë e historisë dhe është i vetëdijshëm për këndvështrimet e tjera, ndaj të cilave nuk do të tregohej kurrë indiferent.

Historia jonë personale dhe kolektive është po ashtu një anë e tregimit, historisë. Ka dhe duhet të ketë edhe anë të tjera. Jo për ta dëmtuar të vërtetën, por – duke e pasuruar – për ta kristalizuar.

‘Rreziku i një historie të vetme’ është titulli i një eseje të shkurtër të Chimamanda Ngozie Adichie. Në të vërtetë eseja më shumë vë theksin te paragjykimi, si burim i rrezikut, se sa të urrejtja. Si çdo nigerian e afrikan, edhe ne, secili prej nesh, shumë lehtë (është përballur) do të përballej me paragjykimin e perëndimorit të qytetëruar që ka një histori të vetme për ne, kosovarin; kosovarin që është emigrant, azilkërkues, rrjedhimisht gjoja se mashtrues, vjedhës, parazit, injorant. Nëse një ditë takoheni rastësisht në metro dhe jeni duke e lexuar Uliksin shqip, apo i flisni me admirim për filmat e Susanne Bier-it, do ta mbulojë gojën me dorë – nga habia – dhe do të klithë: Oh, dreqi e mori, qenka në shqip Joyce, e njihkeni Bier-in?!

Jo, vetëm po shtiremi!

Rreziku i një historie të vetme nuk është rreziku që u intereson – përkundrazi – një grupi banditësh që duan ta kalojnë në Kuvend ligjin për vlerat e UÇK-së. Përkundrazi – është rreziku ndaj të cilit duan të na ekspozojnë, me çdo kusht, me vetëdije të plotë. Sepse duan një histori të vetme, të imponuar prej tyre, duke shkelur mbi çdo parim demokratik dhe shkencor. Është rreziku ynë që do të ishte shpëtimi i tyre. Kjo nuk i pengon. Kjo i ekzalton.

Çka nënkupton ai ligj? Po e marrin një shembull të freskët. Për shembull, nuk do të guxonim më të kërkonim të dihen emrat e viktimave jo shqiptare të regjimit serb gjatë viteve ’90-të. Si me rastin e mbishkrimit të pllakës përkujtimore në Mitrovicë, ku nuk është shkruar emri i vajzës rome – me arsyetimin se gjoja është harruar – të vrarë bashkë me bashkëqytetarët e saj shqiptarë më 13 mars 1999. Pretendimi i historisë së vetme, nevoja dhe dëshira e paarsyeshme e historisë së vetme, bën që të mohohet edhe vrasja e një fëmije, vetëm e vetëm sepse nuk i përkiste etnisë që i përkasim ne. Është tendenca për t’i bërë “të tjerët” “tjetri”; për ta vënë veten në altarin e viktimës së vetme dhe të tjerët në altarin e xhelatit të vetëm.

Pasoja e një historie të vetme – thotë Chimamanda Ngozi Adichie – është kjo: ia mohon personit dinjitetin e tij. Na e vështirëson ta pranojmë barazinë njerëzore. Vë theksin mbi diversitetet tona më shumë se sa mbi ngjashmëritë tona.  Këtë e ka bërë gjesti me pllakën përkujtimore. Ia ka mohuar dinjitetin një fëmije të vrarë. Dinjitetin dhe emrin dhe historinë. E ka përjashtuar nga të qenët – ajo që pretendojmë të jemi – ne, qenie njerëzore.