Rrezik nga ortekët në Malin Sharr - Gazeta Express
string(33) "rrezik-nga-orteket-ne-malin-sharr"

Maqedoni

Gazeta Express

29/01/2026 14:46

Rrezik nga ortekët në Malin Sharr

Maqedoni

Gazeta Express

29/01/2026 14:46

Parku Kombëtar Mali Sharr informoi se në territorin e parkut aktualisht është e pranishme rrezikshmëri e lartë nga ortekët, veçanërisht në pjesët e malit që ndodhen në lartësi mbidetare mbi 1700 metra, transmeton Portalb.mk.

Siç sqarojnë nga ky institucion, rritja e rrezikut nga ortekët është rezultat i kombinimit specifik të kushteve të motit, duke përfshirë temperaturën e ajrit, drejtimin dhe fuqinë e erës, si dhe reshjet e borës gjatë ditëve të fundit.

“Këta faktorë, në kombinim me karakteristikat relievore të terrenit, krijojnë kushte për paqëndrueshmëri të shtresës së borës dhe shfaqje të ortekëve”, thanë nga Mali Sharr.

Ata thonë se pas marrjes së njoftimit nga operatori i skijimit të lirë me ratrakë “Eskimo Sport” për një ortek të vërejtur në zonën e parkut, një ekip i Parkut Kombëtar Mali Sharr doli në terren dhe kreu inspektim në lokacionin ku kishte ndodhur orteku.

“Më herët, një ekip i operatorit “Eskimo Sport” kishte kryer kërkime në terrenin e ortekut me përdorimin e pajisjeve për kërkim në ortekë, me ç’rast u konstatua se në ortek nuk kishte persona të mbuluar që posedonin pajisje orteku, ndërsa deri në këtë moment nuk ka raportime për person të zhdukur. Fatmirësisht, ngjarja ka kaluar pa viktima njerëzore”, thanë nga Mali Sharr.

Paralelisht me inspektimin në terren, u realizua edhe analizë profesionale e stabilitetit të shtresës së borës nga një ekip ekspertësh i një institucioni arsimor të specializuar për sigurinë në turizmin malor. Sipas vlerësimit të kryer, u konstatua një nivel i lartë i rrezikut nga ortekët – shkalla 4, sipas shkallës evropiane për vlerësimin e rrezikut nga ortekët (5 – shumë i lartë, 4 – i lartë, 3 – i konsiderueshëm, 2 – i moderuar, 1 – i ulët).

Parku Kombëtar Mali Sharr paralajmëron të gjithë vizitorët që të veprojnë me kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zona potencialisht të rrezikuara nga ortekët, si dhe të mos lëvizin në pjesët më të larta të malit pa shoqërimin e personave të kualifikuar dhe të trajnuar profesionalisht. Njëkohësisht, u bëhet thirrje vizitorëve që vizitën e tyre ta raportojnë në mënyrë të saktë dhe në kohë përmes faqes zyrtare të internetit të parkut.

Advertisement
Advertisement
Advertisement