Rreth pesë orë debat, çfarë ngjau në seancën e së hënës për pandeminë - Gazeta Express
string(68) "rreth-pese-ore-debat-cfare-ngjau-ne-seancen-e-se-henes-per-pandemine"

Rreth pesë orë debat, çfarë ngjau në seancën e së hënës për pandeminë

Gazeta Express

14/07/2020 7:53

Kuvendi i Republikës së Kosovës, mbajti të hënën seancë plenare, kryesuar nga kryetarja Vjosa Osmani, në të cilën ka raportuar kryeministri, Avdullah Hoti, lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Kryeministri Hoti në rezymenë e tij rreth veprimeve të Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, ka thënë se hapja e shoqërisë dhe bashkë me të edhe e ekonomisë, pas asaj mbyllje drastike, “por që ishte e domosdoshme deri në qershor, e ka gjetur vendin jo të gatshëm për të bashkëjetuar me virusin deri në momentin e mposhtjes së tij, për çka sot vendi po e paguan një çmim jo të lirë”.

Lexo Edhe:

“Nisur nga kjo gjendje, konkretisht për të parandaluar përhapjen e COVID-19, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës të hënën ka marrë këto vendime: Bartja e maskave mbrojtëse është obligative; mbajta e distancës prej 2 metrash është obligative; institucionet obligohen të mbajnë dezinfektues dhe maska në vende të qasshme; qytetarët mbi 65 vjeç dhe qytetarët me sëmundje kronike mund të dalin në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit (prej 05:00 deri 10:00) dhe orët e mbrëmjes (prej 18:00 deri 21:00); në komunat: Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Gjilan, Fushë Kosovë, Shtërpcë, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan nga ora 21:00-05:00 ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave jashtë shtëpive; pezullohet veprimtaria e çerdheve në institucionet publike dhe private, kurse njëri prind nuk paraqitet në punë; pezullohen aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura; të gjitha qendrat tregtare obligohen që ta zbatojnë orarin nga 05:00-21:00 duke respektuar në tërësi Manulin për mbrojtje nga COVID-19; pezullohet puna në tregjet publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve; pezullohen ceremonitë fetare në institucionet fetare; ndalohet grumbullimi i qytetarëve më shumë se 5 persona në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme; operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal; qytetarët e Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut obligohen që kur hyjnë në Kosovë të kenë test RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Kosovës”, vijoi Hoti.

Hoti edhe nga foltorja e Kuvendit iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat kundër pandemisë COVID-19.

Pas Hotit, rreth kësaj çështje u deklaruan edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kryetarët e grupeve parlamentare dhe deputetët e tjerë.

Kryeparlamentrja Osmani duke folur për çështjen e pandemisë COVID-19, ka thënë se duke e pasur parasysh emergjencën shëndetësore, ka propozuar që në një seancë të trajtohet me procedura të përshpejtuara Projektligji për parandalimin dhe menaxhimin e situatës për pandemi.

Në të njëjtën kohë, ajo ka thënë se kjo nismë e iniciuar në prill të këtij viti, ishte edhe përmbushje e obligimit të Kuvendit karshi kërkesave të vazhdueshme të Gjykatës Kushtetuese.

“Pra ne kemi obligim kushtetues që ta nxjerrim këtë ligj”, ka thënë Osmani, duke bërë me dije se ky projektligj është në procedura në Kuvend, konkretisht në Komisionin për Shëndetësi.

Në vazhdim, Osmani, ka treguar se sot ka proceduar një amendament në Ligjin për rishikimin e buxhetit, në mënyrë që të parashihet buxhet për shpërndarjen e maskave shumë përdorimshme falas për të gjithë qytetarët mbi moshën 6 vjeçare.

Po ashtu, ajo ka paralajmëruar për sot se do të procedojë amendamentin për përfshirjen dhe planifikimin buxhetor për blerjen e një vaksine për qytetarët mbi moshën 65-vjeçare, dhe për të gjithë ata të cilët kanë problem me mushkëri.

Ndër tjerash, Osmani ka bërë thirrje që të tejkalohen ndasitë, dhe mbi interesa politike të vendoset shëndeti i qytetarëve.

Për pandeminë COVID-19 në vend, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur Fatmire Mulhaxha- Kollçaku. Ajo ndër tjerash ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Ne tashmë jeni në rrethana krejt tjera, fatkeqësisht edhe për këtë dikush duhet të marrë përgjegjësinë. Pra, jemi në rrethana ku radhitemi si vendi me rrezikshmëri më të lartë, një vend që nuk preferohet për vizitë nga qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian”, ka thënë Kollçaku, duke shtuar se Kosova nën qeverisjen Kurti ishte ndër tri vendet me menaxhimin më të mirë, kurse tani është një nga vendet me menaxhimin më të keq të pandemisë COVID-19.

Ajo ka akuzuar Qeverinë Hoti, që për inate personale nuk e kanë votuar Projektligjin Kundër COVID-19. Ndërkohë ka propozuar një rezolutë prej katër pikave.

Për çështjen e pandemisë COVID-19 në vend, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, ka folur Ekrem Hyseni, i cili ka thënë se shtimi i numrit të rasteve pozitiv ka ndodhur pas hapjes dhe lirimit të masave.

“Numri i rasteve të reja krahasuar me kohën e izolimit total, normalisht se është më i madh. Si mund të krahasojmë sot numrin e rasteve të reja kur funksionon ekonomia, aeroporti, kur kufijtë janë të hapur, me një kohë kur njerëzit kanë qenë të izoluar në shtëpitë e tyre, dhe gjurmimi i rasteve ka qenë shumë më i thjesht, kurse numri i testimeve shumë më i vogël, si dhe kontakti i qytetarëve ka qenë shumë më i vogël”, ka thënë Hyseni, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës të sigurojë maska për qytetarët, qoftë edhe me kosto të ulët, ndërsa nga organet e zbatimit të masave që të jenë sa më aktive në terren.

Ndërkaq, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bekim Haxhiu, ka propozuar disa rekomandime të cilat ka kërkuar që të votohen pas konsumimit të këtij debati.

“Të sjellët në Kuvend Ligji Kundër COVID-19; PDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që me vendim të veçantë t’i rritë pagat për punëtorët shëndetësor, siç parashihet me Ligjin për paga. Ky vendim duhet t’i përfshijë të gjithë zyrtarët që po përballën çdo ditë me betejën COVID-19; Ministria e Shëndetësisë të punojë maksimalisht që të punësojë së paku edhe 1500 profesionistë shëndetësor në nivel të Kosovës; decentralizim të testimeve dhe të trajtimeve me COVID-19, duke mbështetur komunat në menaxhimin e situatës me plan konkret, si dhe angazhim të spitaleve private; të licencohet sektori privat për të bërë teste për COVID-19, duke i obliguar që t’i raportojnë rezultatet në baza ditore në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe në Ministrinë e Shëndetësisë; të autorizohet Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës që t’i publikojë emrat e personave që janë testuar, dhe të atyre që kanë rezultuar pozitiv”, ka thënë Haxhiu.

Në vazhdim për pandeminë COVID-19 në vend, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, ka folur Time Kadriaj.

Ajo ndër tjerash ka kritikuar ish-kryeministrin Albin Kurti për menaxhimin e pandemisë COVID-19, përfshirë edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Ndërkohë ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të lejohen dhe licencohen laboratorët private për të kryer teste me një çmim të arsyeshëm për qytetarët.

Po ashtu, ajo ka kërkuar që të angazhohen të gjitha kapacitetet e shtetit për ta tejkaluar këtë situatë sa më shpejt dhe sa më lehtë. “Ne jemi të vetëdijshëm se masat e marra nga Qeveria e Kosovës godasin ekonominë e vendit, por kjo është zgjidhja e vetme për ta tejkaluar këtë situatë me sa më pak viktima”, ka thënë Kadrijaj.

Më pas, deputetët nga grupet e ndryshme parlamentare kanë shfaqur pikëpamjet e tyre për gjendjen në vend, si pasojë e pademisë COVID-19. Kurse, rreth çështjeve të ngritura dhe për mënyrën e menaxhimit të kësaj pandemie, kanë folur edhe  zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj dhe Besnik Tahiri, si dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Seanca e Kuvendit me të njëjtën pikë të rendit të ditës do të vazhdojë edhe sot në ora 10:00./KosovaPress/