Rreth librit “Virgjëresha shqiptare” të nobelistes kanadeze, Alice Munro - Gazeta Express
string(69) "rreth-librit-virgjeresha-shqiptare-te-nobelistes-kanadeze-alice-munro"

Rreth librit “Virgjëresha shqiptare” të nobelistes kanadeze, Alice Munro

Arte

Gazeta Express

15/05/2024 14:32

Dashuria, bashkë përgjithnjë  apo një ndarje e pashmangshme? Çfarë kishte për të qenë argument më i denjë letrar? Me gjasë, letërsia ndarjen e ka subjekt më të parapëlqyer se bashkimin, sikurse tradhtinë më të parapëlqyer se besnikërinë, sikurse të marrët më të parapëlqyer se të mençurit, sikurse mungesën më të parapëlqyer se praninë, sikurse dhimbjen më të parapëlqyer se lumturinë, sikurse vdekjen më të parapëlqyer se jetën… Në këtë logjikë ndarjet, të bujshmet, akoma më shumë të dhimbshmet, shenjojnë veprat apo më saktë kryeveprat letrare. Merret me mend, për shkak të fuqisë që përmbajnë në vetvete…

Po nëse në një vepër letrare ndodh e kundërta? Në vend të ndarjes një bashkim, i përjetshëm madje? Do të duhej të përligjej pseja, të argumentohet “devijimi”. Ose, do të duhej që përballë t’i vendosej një ndarje. Si për të thënë se një bashkë përgjithnjë është përjashtimi që përforcon rregullin. I tillë, me shumë gjasë, është propozimi i një nobelisteje. E kam fjalën për Alice Munro-në, e cila në libërthin e saj me titull “Virgjëresha shqiptare”, duket se këmbëngul pikërisht te përjashtimi që përforcon rregullin…

Lexo Edhe:

Gjithsesi, është rasti për të shtruar pyetjen: A mund të jetë dashuria e përjetshme apo gjithnjë, fundi është destin i saj?

Së pari dy fjalë mbi subjektin e librit të nobelistes kanadeze, ku protagonistja, nuk është as virgjëreshë e as shqiptare. Sharlota, është një vajzë e re, kureshtare, që kërkon të zbulojë e njohë edhe atë që nuk është e lehtë të zbulohet e njihet. I kishin thënë se ishte e vështirë, madje e rrezikshme, të kapërcente kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ku ajo si turiste po mërzitej në shoqërinë e një grupi njerëzish pasivë që kënaqeshin veç duke luajtur letrash. Matanë ishte një botë tjetër, një botë ku koha kishte ndalur e nuk lëvizte. Dhe ajo, e joshur, niset me një shoqërues të rreckosur dhe një kalë. Por aventura i ka zënë pritë me të kaluar kufirin. Është gjakësi i shoqëruesit të saj. Shoqëruesi mbetet i vrarë ndërsa kali i Sharlotës trembet dhe e rrëzon, e ajo bie mbi një gur të thepisur duke humbur ndjenjat.

Deri tani, Sharlota është ende larg të kuptuarit të gjërave që ndodhin në këtë vend, e akoma më larg konkluzionit për përjetësinë apo jo të dashurisë… Këtu thjesht sa ka filluar tregimi i saj…

Kësisoj, ngjarjet, në gjysmën e librit “Virgjëresha shqiptare”, zhvillohen mes maleve shqiptare e janë krejt të papritura. Ama krejt të përligjura qysh në krye të herës. Pra, ka një arsye pse Sharlotën që ka humbur ndjenjat, vrasësit e shoqëruesit të saj e marrim me vete dhe i shpëtojnë jetën: kanuni nuk lejon të shtihet mbi një grua. Ka një arsye pse ajo lidhet fort me priftin e zonës (që do të bëhet më pas burri i jetës së saj): është i vetmi në atë vend të izoluar me të cilin mund të komunikojë në një gjuhë që e njohin të dy. Ka një arsye pse ajo zbulon se ç’është një “virgjëreshë” (e përbetuar): detyrohet të bëhet e tillë për t’i shpëtuar një martese-shitje. Ka një arsye pse mbetet një vit mes maleve duke u përshtatur me jetën dhe rregullat e banorëve të zonës, duke i njohur mirë ato: askush nuk mund të shkojë në qytet të lajmërojë në konsullatë a polici, për shkak të distancave pothuaj të papërshkueshme, izolimit natyror dhe mendor.

***

Pavarësisht këtyre hollësive intriguese, qëllimi i shkrimtares kanadeze në librin “Virgjëresha shqiptare”, nuk është të përshkruajë e t’u tregojë lexuesve të vendit të saj një botë ekzotike që të le me gojë hapur. Jo vetëm se e ka bërë sakaq Edith Durham-i, librat e së cilës iu bënë “udhërrëfyes” vetë Munro-së, por mbi të gjitha se është shumë pak për një shkrimtar, paraqitja e një reportazhi. Gjetiu e ka hedhur spirancën Munro-ja: në humbellat e padeshifrueshme të shpirtit njerëzor. Kërkon të flasë, tregojë, shpjegojë duke i lënë sakaq lexuesit të përsiasin dhe bëjnë interpretimet e veta, mbi dashurinë, ekzistencën, domethënien, thelbin e saj… për përjetësinë  apo përkohshmërinë e saj apo psetë që përligjin njërin apo tjetrin rast, që përjashtojnë njërin apo tjetrin rast.

Për të tërhequr vëmendjen për sa më lart, Munro-ja e çon personazhin e saj, Sharlotën (Lotarën siç i thirrën malësorët shqiptarë) në Shqipërinë e viteve ‘20 të shekullit XX, mu mes maleve të izoluar prej nga ikja është e pamundur në mos qofsh zog. Por, njëkohësisht, shkrimtares i duhet dhe një personazh i kundërt, e merret me mend edhe terreni i vet. Dhe ajo është një grua e re, pronare e një librarie, e lirë për të ikur ku e kur të dojë, banore e botës së qytetëruar tashmë, të perëndimit të largët.

Dy gratë që përbëjnë boshtet e librit, dy paralele që nuk mund të priten në asnjë pikë, tek rrëfejnë për veten, jetët e tyre, historitë e dashurisë, rreshtave e mes rreshtave vulosin konkluzione, japin përgjigje (relative padyshim) për pyetjet e pashpallura por të nënkuptuara, mbi dashurinë. Ama mbi dashurinë si një monedhë me dy faqe, në njërën anë të së cilës duket ndarja e pashmangshme e në tjetrën bashkimi i përjetshëm… dy faqet që rivalizojnë njëra-tjetrën pa ndalim.

***

Gruaja e parë, Sharlota, tashmë në zgrip të jetës, ka një burrë në krah. Të dy, njëri më i çuditshëm se tjetri (edhe për hir të asaj copëzjete çuar në një vend të çuditshëm). Janë bashkë qysh në krye të herës, dhe lidhja e tyre ngjan si një fill që, edhe pse i pakapshëm nga syri, i ka shtrënguar fort e i mban kësisoj edhe tani, në muzg të jetës së tyre.

E dyta, librarja, ka një bagazh jetësor të trazuar, një martesë të prishur, një tradhti të dyfishtë… I beson shprehjes që diku e ka dëgjuar se “një nga gjërat më të bukura të martesës është se të krijon mundësi për marrëdhënie të tilla ku lulëzon dashuria e vërtetë. Ndërsa ato paramartesore nuk janë gjë tjetër, veçse kopje të dashurisë së vërtetë”. Ajo është vetëm dhe e vetmuar.

Historia e dashurisë së gruas së parë ka rrënjë shqiptare. Lind çuditshëm mes maleve të izoluara, ftohtë dhe e padukshme, zhvillohet në një terren aspak të favorshëm. Vonë konsumohet, por në ndërkohën parapërgatitore rrënjët që nis e lëshon fara, gjejnë humus të përshtatshëm për t’u bërë të pashkulshme, për ta bërë historinë të pafund dhe të vërtetë. Tashmë dy pleq të dashuruar, thellësisht varfanjakë, por të pasur në dashuri, duke fantazuar apo duke u rrekur ta bëjnë fantazinë realitet, kërkojnë me të gjitha mënyrat (e çuditshme) veç një grusht para për të shijuar ditët e fundit të dashurisë së tyre mbi tokë.

Historia e gruas së dytë, më shumë sesa histori dashurie është histori tradhtie. Vjen prej Perëndimit. Protagonistja, e turbullt dhe e paqartë, s’di ç’të bëjë me veten, nuk e di se ç’e çoi drejt burrit të saj e ç’e bëri më pas ta tradhtojë. Aludon se ka kërkuar tek i shoqi, më shumë sesa burrin, prindërit e munguar dhe rreket ta përligjë tradhtinë, me një lloj akti braktisjeje, si hakmarrje ndaj braktisjes që i bënë prindërit dikur, duke e lënë vetëm në botën e të gjallëve. Kalamendet pra, nga një sofistikim në tjetrin, e po kështu vijon edhe tek fantazon të ardhmen: sheh me sy hapur plot lidhje të tjera jashtëmartesore, konflikte që edhe pse zbuten, paralajmërojnë rutinën e jetës së saj në çift.

Të dyja janë histori paralele, lidhje intime që qëndrojnë përkundër njëra-tjetrës, të zhvilluara skajshmërisht, mu për të rivalizuar.

***

Por pse terreni i ngjizjes së dashurisë së parë (asaj “bashkë përgjithnjë”) është pjesa e izoluar e Shqipërisë së 100 vjetëve të shkuara? Një pyetje që ka për përgjigje një tjetër pyetje. E ku tjetër? Historia e gruas moderne është e lehtë të gjendet kudo, sepse një grua bashkëkohore, ngarkuar me paqartësi që e çojnë të tradhtojë pa vramendje e të përfytyrojë krejt e qetë tradhti të reja, mund t’i vërë këmbët e të lëvizë në çdo hapësirë gjeografike të kohës sonë. Kurse historia e dashurisë së thellë dhe të thjeshtë, duhet gjetur vetëm në një vend të thjeshtë. Pra, primitivizmi i ka interesuar autores në Shqipërinë e dikurshme. Primitivizmi i dikurshëm shqiptar, që i bën gjërat më të thjeshta, që i shkon qenies njerëzore në thelb duke e zhveshur nga sofistikimet e modernitetit, të cilat nganjëherë ngatërrojnë më shumë sesa qartësojnë.

Përballë primitivizmit, civilizimi perëndimor ushqen egoizmin, harrimin e tjetrit, dhe vetja shndërrohet në mos në diell, në planet rreth të cilit tjetri përsillet si satelit. Shkurt: skajshmëria e dy terreneve do që të vërtetojë se: primitivizmi dhe modernizimi janë rivalë në dashuri!

***

Në njërën anë një bashkë përgjithnjë, që duhet mund për ta gjetur. Në anën tjetër një dashuri me fund të paracaktuar qysh në krye të herës, kudo e lehtë për t’u gjendur. Përfundimisht: e para apo e dyta, cila kishte për të qenë argument më i denjë letrar? Ballafaqimi mund të jetë një tjetër joshje për letërsinë tek e fundit… ndoshta për të thënë, në këtë rast, se me gjasë bashkë përgjithnjë ka humbur me primitivizmin…